Shesim një ëndërr europiane

15/06/2014 00:00

Gjergj Erebara – Mbi dhjetë vjet më parë, në vitin 2003, një zhurmë e madhe politike i parapriu një ngjarjeje që quhej “hapja e bisedimeve” për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Anëtarësimit. Shqipëria kishte marrë statusin e vendit me potencial për të qenë kandidat për anëtarësim në vitin 2000. Me MSA-në arsyetohej se arrihej anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Hapja e bisedimeve për MSA-në u krye me një ceremoni pompoze në Tiranë me vizitën e Romano Prodit, në atë kohë president i Komisionit Europian. Kur një gazetare shqiptare i bëri pyetjen një milion dollarëshe Romano Prodit, atë se kur një shqiptar do të mund të shkojë në Itali pa torturën e zakonshme nëpër dyert e ambasadave, Prodi nuk pati përgjigje.

Në atë kohë, një ministër apo një kryeministër shqiptar, nëse donte të shkonte në Itali, duhej të dërgonte pasaportën e tij diplomatike në ambasadë.

Përgjatë të gjithë kohës, politikanët e kohës flisnin për integrimin europian si diçka që gjendej fare pranë. Në konfidencialitet, thoshin se një parashikim “realist” qe që Shqipëria të anëtarësohej në vitin 2013.

Mes vitit 2003 dhe vitit 2006, qeveritë shqiptare negociuan raund pas raundi “kapitujt e MSA-së” deri sa në vitin 2006, Bashkimi Europian i dha një stimul qeverisë së re, duke e miratuar MSA-në. Neni i fundit i marrëveshjes thoshte se ajo do të zbatohej për pesë vjet dhe në krye të pesë vjetëve do të merrej vendimi për anëtarësim të Shqipërisë ose për shtyrje të MSA-së me pesë vjet të tjera. Por MSA-ja, përveç miratimit nga krerët e shteteve, duhej të ratifikohej nga parlamentet e vendeve anëtare.

Shqipëria filloi të kalojë nga një peripeci në tjetrën. Për plot një vit nga miratimi, MSA-ja nuk u ratifikua nga asnjë parlament. Pastaj doli problemi që Greqia kërkoi një pjesë të detit Jon në këmbim të ratifikimit. Në fund, në maj 2008, MSA u ratifikua. Sipas logjikës së thjeshtë në këtë kohë, Shqipëria do të mund të anëtarësohej në BE në vitin 2014 ose në vitin 2019.

Ndërkohë, shqiptarët nuk kishin pyetje tjetër veç asaj se kur do të mund të shkonin në Europë pa vizë. Se sa e rëndësishme qe kjo çështje për shqiptarët e zakonshëm, u pa në vitin 2011, një vit krize ekonomike, por edhe viti i parë kur vizat përfundimisht u hoqën. Qindra mijë shqiptarë nxituan të blejnë një biletë avioni për të shkuar për herë të parë në Greqi apo Itali. Mbi 20 vjet pas rënies së komunizmit, një pjesë substanciale e popullsisë ende nuk kishte vizituar asnjë vend të huaj përpos Maqedonisë, Malit të Zi apo Turqisë.

Para zgjedhjeve të vitit 2009, Çekia kishte presidencën e radhës në BE, Shqipëria po i shiste praktikisht pa garë dhe me kontratë rëndshëm të negociuar në favor të çekëve pas përfundimit të tenderit, rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike te kompania shtetërore çeke CEZ. Qeveria e kohës u përpoq t’i impresionojë shqiptarët duke zgjedhur të aplikojë për statusin e vendit kandidat. Pra, Shqipëria duhej të bëhej nga vend me potencial për kandidat për anëtarësim, në togfjalëshin më të thjeshtë, kandidat për anëtarësim.

Zyrtarët e Brukselit këshilluan që Shqipëria të mos e bënte aplikimin, duke e parë atë të pakuptimtë. Shqipëria e bëri, sepse qeveria synonte të fitonte një armë propagandistike për zgjedhje. Pesë vjet pas, shqiptarët janë të detyruar të vijojnë një debat që nisi si një shaka politike pa kripë.

Pas do dy javësh, Shqipëria do të mësojë nëse krerët e shteteve anëtare të BE-së do t’ia heqin Shqipërisë parashtesën “potencial” apo jo. Nëse përgjigjja është “jo”, shqiptarët do të vijojnë të ngopen me debatin për “statusin”. Nëse është “po”, shqiptarët do të fillojnë të mësojnë një term të ri: datën e hapjes së negociatave për anëtarësim. Dhe nëse kjo data për hapjen e negociatave vjen, fjala vjen pas dy, tri apo pesë vjetëve, do të fillojnë të mësojnë se negociatat janë bllokuar apo po ecin në kapitullin e parë, të dytë apo të shtatë të traktatit të anëtarësimit.

Që prej çerekshekulli, politikanët shqiptarë u shesin parajsën e premtuar shqiptarëve të zakonshëm, ëndrrën e anëtarësimit në Europë, e cila paraqitet si një formë zgjidhjeje magjike e të gjitha problemeve të vendit. Një herë në disa vjet ndryshon terminologjia e debatit. Marrëveshja, statusi, vizat, data, kapitujt… Sot flitet se Shqipëria mund të anëtarësohet në BE rreth vitit 2021.

Shqiptarët bëjnë mirë të fillojnë të jetojnë në vend që të ëndërrojnë. BE-ja nuk do të vijë t’i shpëtojë shqiptarët as nga korrupsioni dhe as nga varfëria. Vendi ka nevojë të përqendrojë debatin te çfarë mund të arrijë, çfarë mund të përmirësojë dhe çfarë të keqeje mund të luftojë, me apo pa status të vendit kandidat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA