Mustafa Nano – Në “Shqipin” e djeshëm citohej një banor i Himarës të kish thënë, në një takim të ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, me banorë të Himarës, se “nuk mund të jetojmë me një komunitet, i cili ka besim tjetër; neve edhe vetë natyra na ka ndarë nga zona e Vranishtit me një mal të lartë”. I ka thënë këto fjalë, teksa diskutohej mbi reformën territoriale e mbi bashkimin e Himarës me Vranishtin në të njëjtën njësi të qeverisjes lokale.
Kjo frazë është në frymën apo nën frymëzimin e klimës që është krijuar kohët e fundit gjatë diskutimit publik që ka nisur, për shkak të reformës së planifikuar territoriale. Ka ditë të tëra që të përditshmet tona e kanë shndërruar çështjen ‘Himara’ në një headline të tyren, e në këtë mes, siç ndodh rëndom me gazetarët në të gjithë botën, mikrofonat u vihen më së shumti atyre që kanë qëndrime radikale, të cilët, përveçse thëthijnë vëmendjen e lexuesve me ekstremizmin e tyre, rrjedhimisht bëjnë të shiten më shumë gazeta, krijojnë edhe idenë se një gjë e jashtëzakonshme është në kandar, se një hile e tmerrshme po bëhet, se një ngjarje e madhe po pritet të ndodhë.
Unë nuk po futem në detaje të reformës territoriale. Nuk po futem, ngaqë nuk kam kompetencën e duhur për ta bërë këtë. Nuk kam as njohuri të plota mbi çfarë po përgatitet nga Ministria e Çështjeve Vendore. Nuk kam më në fund as njohuri mbi praktika e precedentë të huaj apo të traditës sonë, në këtë lëmë. Di vetëm që një reformë e tillë nuk ka të bëjë thjesht e vetëm me ndarjen e territorit dhe që e gjitha kjo, d.m.th. reforma në tërësinë e vet, është e nevojshme. Dhe për të ditur këtë të fundit nuk duhet ndonjë ekspertizë e madhe. Nëse ka pasur një gjë që nuk ka funksionuar fare apo ka funksionuar keq, shumë keq, gjatë dy dekadave të fundit, kjo gjë është qeverisja lokale dhe pasojë e kësaj gjendjeje është masakrimi i territorit, ashtu si kurrë më parë, nga njëri cep i Republikës në tjetrin.
Por po mbetem tek argumenti i kreut, më saktë te çështja ‘Himara’. Është për të ardhur keq që ekziston ende një çështje e tillë. Madje, nëse ka një provë të faktit që ne banorët e këtij zgëqi të botës nuk dimë të bëjmë gjë tjetër, veçse të shpikim motive konflikti e çështje, për të cilat hahemi me pasion me sho-shoqin, kjo provë është edhe kjo çështje me emrin ‘Himara’. Mos u trembni! Nuk do t’u hyj zhbirilimeve mbi historinë e Himarës e nuk më shkon mendja të kërkoj e të denoncoj renegatë (xhanëm, ata që u mëshojnë këtyre diskutimeve të vjetra e të vjetruara e kanë krijuar këtë çështje). Për mua, problemi i Himarës është i thjeshtë. Himara është një territor i Republikës së Shqipërisë. Nuk ka rëndësi fare në këtë diskutim që po bëj nëse është historikisht shqiptare apo greke (ky është një argument me një interes të ngushtë akademik). Ka rëndësi amá që është një territor i Republikës së Shqipërisë, ku banojnë shqiptarë që janë e ndihen shqiptarë, shqiptarë që ndihen grekë, grekë që janë grekë etj., etj.
Ne duhet të mësohemi (duhet të ishim mësuar, tanimë), që historia ka më pak rëndësi sesa sentimentet e dëshirat e atyre njerëzve që banojnë e jetojnë atje, ka më pak rëndësi sesa paqja e mbrothësia e atyre njerëzve atje. Ka himarjotë që ndihen grekë e grekë që mendojnë se Himara është greke? Ok, le të ketë. Kjo është puna e tyre, e të tjerët nuk kanë pse të trazohen prej këtij fakti. Të tjerët do të bënin mirë të mos binin në grackën e diskutimeve të tilla. Puna e të tjerëve që banojnë atje apo edhe e jona që jemi anëtarë të kësaj republike të përbashkët, ku bën pjesë edhe Himara, është të kuptojnë se jemi në vitin 2014, e jo 100 vjet më parë, në vitin 1914.
Unë s’kam asnjë vështirësi të jetoj me atë zotërinë e kreut të këtij shkrimi, që edhe një trill të natyrës, siç është një mal, e sheh si provë të dëshirës që ka pasur e ka natyra për ta ndarë zotërinë në fjalë nga zotërinj të tjerë që jetojnë përtej malit. Unë nuk kam asnjë vështirësi të jetoj me të, s’ka gjë hiç se ai është ortodoks (duket se është ortodoks) e s’ka gjë hiç se mund të jetë grek (nëse është grek), në një kohë që unë jam një shqiptar (kështu besoj) që fetë nuk i kam lejuar të më ngatërrohen në jetën time.
Mirëpo, unë kam shumë vështirësi të kuptoj logjikën e atij që Vranishtin nuk e duron dot, ngaqë vranishtasit i përkasin një besimi tjetër. Nuk jam me idenë që Vranishti të jetë se s’bën në të njëjtën njësi të qeverisjes lokale, që ka për qendër Himarën. Nuk jam apriori me këtë ide, pasi në të vërtetë nuk kam asnjë ide në këtë pikë. Por do të doja që himarjotët që nuk duan të jenë në të njëjtën njësi territoriale me Vranishtin të gjenin motive të tjera për ta kundërshtuar, të gjenin motive të natyrës sociale, ekonomike etj., siç edhe janë gjetur nga ndokush apo ndoca. Por ky motivi i ndarjes fetare është një pesë me hiç. Anëtarët e minoritetit grek jetojnë prej shekujsh aty ku jetojnë, dhe duhet ta kenë marrë vesh se këtyre anëve kanë jetuar prej shekujsh njerëz të besimeve të ndryshme. Po, dihet, ka pasur edhe paranteza të dhunshme, tepër të dhunshme, por së pari, si rregull, dhuna ka qenë e natyrës etnike (s’ka gjë se në ndonjë rast etnia e feja kanë qenë të ndërkallura te njëra-tjetra) e së dyti, prapë si rregull, marrëdhëniet njerëzore këtyre anëve janë dalluar nga toleranca e mirëkuptimi. Me këtë shpjegohet që ne jemi sot kështu si jemi, d.m.th. bashkë.
Por më e rëndësishmja është të kuptojmë – po i rikthehem idesë së mësipërme – se ne nuk kemi vetëm fatin të përbashkët, por edhe kohën kur jetojmë. Është tepër demode të dëgjosh në vitin 2014, se “edhe natyra ka dashur që ne ortodoksët e Himarës të jemi të ndarë prej një mali nga myslimanët e Vranishtit”. Dhe do të ishte edhe më demode nëse me ortodoksë kuptohen grekët e me myslimanë shqiptarët.
Hej miq, na lini të jetojmë në mijëvjeçarin e ri!
Top Channel