Rama: Po rrisim punësimin

13/06/2014 00:00

Ambientet e dikurshme të një kazinoje, ku të rinjtë korçarë mundoheshin të siguronin jetesën përmes kumarit, nga sot janë kthyer në zyrë punësimi me një qëllim tjetër: mundësinë për t’u punësuar.

Këtë zyrë punësimi dhe ato që tashmë kanë kohë që janë hapur në qarqet kryesore të vendit u cilësuan nga kryeministri Rama si një gur themeli që po vendos qeveria në drejtim të punësimit.

“Ne do ndryshojmë panoramën e punësimit. Ne kemi ardhur në pushtet për të punësuar 1 milion të papunët që la Saliu. Vetëm në katër muajt e fundit janë afishuar 5 mijë vende pune”, deklaroi Rama.

Ndërsa ministri Veliaj u shpreh se hapja e kësaj zyre punësimi në Korçë e çon në 7 numrin e këtyre zyrave në të gjithë vendin. Në Korçë, tha Veliaj, kthyem simbolikisht një kazino në zyrë pune.

“Po mbyllim kazino dhe po hapim zyra pune. Kjo është zyra e shtatë e punës që ngremë në Shqipëri dhe INSTAT së fundmi konfirmoi 32 mijë të punësuar më shumë”, deklaroi Veliaj.

Ndërsa zëvëndës kryeministri Niko Peleshi, ish kryebashkiak I Korcës, theksoi se ky është projekti i parë i modernizimit të shërbimeve publike, dhe zyra e punës plotëson standardet Evropiane.

Top Channel