Nga Gjergj Erebara: Reforma administrative dhe territoriale ka muaj që përflitet. Rëndësia e saj është e padiskutueshme. Shqipëria nuk mund të ketë mbi 370 njësi të qeverisjes vendore dhe se konsolidimi i këtyre “qeverive” në njësi më të mëdha do të mundësojë menaxhim më efikas të territorit, planifikim të zhvillimit infrastrukturor apo urban më të mirë etj. Por gjatë të gjithë këtyre muajve të diskutimeve, një element shumë i rëndësishëm është lënë pa përmendur. Askush nga nismëtarët e reformës nuk ka përmendur kurrë decentralizimin fiskal apo buxhetor. Argumenti më i fortë pro reformës nuk ka qenë krijimi i njësive të fuqishme administrative të afta për të kryer punët e veta, por ka qenë kursimi monetar. Zyrtarët e qeverisë flasin për kursimin e 35-70 milionë dollarëve në formën e pagave të zyrtarëve të pushtetit vendor të kursyera. Kjo nënkupton pak a shumë shkurtimin e mijërave vendeve të punës në pushtetin vendor.
Shqipëria është sakaq një nga shtetet më të centralizuara në Europë. Përveç pushtetit autoritar dhe aspak demokratik të partive politike në jetën e përditshme të shqiptarëve, kemi përqendrimin e skajshëm të buxhetit të shtetit, i cili menaxhohet në masën 96 për qind nga qeveria qendrore. Ky përqendrim i parasë në Tiranë ka qenë shkaku kryesor i rrënimit të pjesës tjetër të qyteteve dhe fshatrave të vendit përgjatë dy dekadave të fundit më shumë sesa ndarja e territorit në shumë minikomuna apo bashki me sipërfaqe të pandryshuar. Kjo dallohet te ndryshimet drastike të nivelit të çmimeve. Një kafe në Tiranë kushton katër deri në pesë herë më shtrenjtë sesa nëpër fshatrat e Shqipërisë Veriore apo Jugore.
Reforma territoriale, e cila nuk është asgjë më shumë sesa zgjerimi i kufijve të qyteteve për të mbuluar edhe fshatrat, si dhe bashkim komunash në njësi më të mëdha, nuk do të bëjë asgjë të mirë në rast se nuk shoqërohet me decentralizim të vërtetë të pushtetit ligjor dhe ekonomik. Nismëtarët e reformës duhet të artikulojnë ndonjë gjë qartazi se si e mendojnë këtë decentralizim. Çfarë funksionesh të shtetit duhet të menaxhohen nga pushteti vendor e çfarë nga pushteti qendror. Sa para nga buxheti i konsoliduar i shtetit duhet t’i lihen pushtetit vendor. A do t’u jepet 5, 10 apo 20 për qind e buxhetit publik?
Shqipëria ka nevojë jetike të shpërbëjë buxhetin qendror për ta shpërndarë mes njësive të qeverisjes vendore, krahas shpërbërjes së kompetencave ligjore.
Ndonëse zvogëlimi i njësive të qeverisjes vendore dhe zgjerimi i autoritetit territorial të bashkive mbi komunat fqinje, është i domosdoshëm për shërbimet më minimale publike, pushteti vendor vështirë se do të funksionojë për sa kohë këto njësi nuk kanë pjesën që i takon nga buxheti i shtetit apo nuk kanë numrin e nevojshëm të punëtorëve për të kryer këtë shërbime. Pa fonde dhe pa decentralizim real buxhetor dhe të kompetencave nuk mund të ketë mirëmbajtje të rregullt të rrugëve, shkollave apo kopshteve dhe nuk mund të ketë as pastrim të territorit.
Qytetet janë aktualisht një vendbanim drejt zhdukjes në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Me pak ose aspak industri, shumë qytete janë duke vdekur, popullata u është pakësuar përgjatë dy dekadave publike dhe shërbimet publike si ujë apo kanalizime kanë degraduar derisa në shumë raste kanë mbetur të papërdorura.
Ka aktualisht jashtëzakonisht shumë abuzime nga pushteti vendor. Kryetarë komunash që vijojnë të qeverisin prej kohësh, stafe punonjësish që përbëhen nga kushërinjtë e kryetarit, ndarje të ndihmës ekonomike sipas interesave politike etj. Shkurtimi i numrit të punonjësve për komunat dhe bashkitë nuk përbën zgjidhje të këtyre keqbërjeve. Transparenca është zgjidhje.
Pushteti vendor ka nevojë të ketë fondet e veta nga pushteti qendror, të dhëna në kushtet e transparencës së plotë përballë qytetarëve dhe të menaxhuara, gjithashtu në transparencë të plotë. Kjo është mënyra e vetme se si pushteti vendor i ardhshëm të demokratizohet dhe të japë llogari para votuesve të vet. Por pa fonde nuk mund të ketë as demokraci dhe as pushtet vendor dhe kjo nuk varet nga mënyra se si vizaton hartën e ndarjes territoriale apo emrave që i vë rajoneve.
Gazeta Shqip
Top Channel