Kriza e investimeve me kredi

13/06/2014 00:00

Biznesi ankohet se interesat aktuale të kredive e bëjnë të pamundur financimin e investimeve të reja në ekonomi. Luan Bregasi nga Biznes Albania thotë se kriza ka ulur kthimin nga investimet, ndërkohë që interesat nuk kanë rënë në të njëtën masë.

“Nëse fitimi është 10 për qind dhe interesi po 10 për qind, atëherë përse duhet që sipërmarrësi të shkojë të kërkojë kredi në bankë?”, deklaron Bregasi.

Sipas INSTAT, në vitin 2012 norma e fitimit të bizneseve ra në 6.7 për qind të shpenzimeve të kryera. Selami Xhepa thotë se, nëse interesat nuk ndjekin të njëtën tendencë, sipërmarrjet vihen në vështirësi.

“Praktikisht kjo i çon sipërmarrjet drejt një presioni më të madh, drejt shkurtimeve dhe nevojës për të shkurtuar kapitalin, nga të cilat do të kenë probleme me likuiditetin”, thekson Xhepa.

Prej dy vitesh Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një politikë lehtësuese agresive duke e ulur koston e parasë nga burimi primar në minimumin historik prej 2.5 për qind.

“Në këtë kuptim duhet që vetë bankat të konsiderojnë këtë lehtësim të barrës dhe ta ndajnë atë në mënyrë më bujare me agjentët e tjerë ekonomikë”, nënvizon Xhepa.

“Kjo do të thotë se bankat duhet të ulin interesat dhe të rrisin kredinë për biznesin që do të investojë”, shton Bregasi.

Vitin e kaluar investimet private në ekonomi ranë, sipas FMN, në 18 për qind e prodhimit kombëtar, nga 20.1 për qind që ishin në 2010-n.

Top Channel