Vuçiç bisedon me Zelenskyn për agjendën ndërkombëtare, zbulon detaje nga diskutimet Kosova dhe Serbia, pas disa vitesh retorikë të përshkallëzuar dhe negociatash të dështuara, kanë shënuar përparim të madh në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, thuhet në raportin më të ri të organizatës Freedom House, “Vendet në tranzicion 2014”.
Ndërsa sa i përket demokracisë, Kosova, edhe sivjet është përfshirë në grupin e vendeve me regjim gjysmë të konsoliduar autoritar.
Freedom House kujton se në Shkurt të vitit 2013, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe homologu i saj serb, Tomislav Nikolic, janë takuar në Bruksel, duke shënuar takimin e parë midis kryetarëve të dy shteteve, që pasi Kosova ka shpallur pavarësinë.
Raporti përmend edhe marrëveshjen e 19 Prillit, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe zotimet e të dyja palëve për të mos penguar njëra-tjetrën në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në tabelën prej shtatë pikësh, ku 1-shi përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik, ndërsa 7 më të ultin, Kosova ka 5.14 pikë. Shifra, përsëri shënon një përparim të vogël nga një vit më herët, kur ka qenë 5.25.
Sa u përket mediave të pavarura, organizata Freedom House raporton për ndërhyrje të qeverisë në transmetuesin publik dhe i jep Kosovës 5.75 pikë; në lidhje me qeverisjen kombëtare 5.50, ndërsa për qeverisjen lokale 4.75.
Sa i përket korrupsionit, Kosova është vetëm një pikë larg vlerësimit më të keq. Në këtë kategori, ajo ka 6 pikë.
Për kushtet, në të cilat funksionon shoqëria civile, Kosova ka 3.75 pikë, ndërsa për kornizën gjyqësore 5.50. Në vlerësimet e kënaqshme për Kosovën theksohet organizimi i zgjedhjeve dhe transferimet paqësore të pushtetit.
Top Channel