CEZ, privatizimi shtoi borxhet

13/06/2014 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë dëshmojnë se privatizimi i sistemit të shpërndarjes e zhyti sektorin energjetik në një krizë të thellë financiare.

Në raportin vjetor për vitin 2013, Enti vëren se sapo kompania kaloi tek privatët, borxhi ndaj saj u rrit me ritme të frikshme. Sipas Entit, në vitin 2009 shifra totale e detyrimeve për faturat e papaguara që konsumatorët kishin ndaj CEZ ishte vetëm 197 milionë dollarë.

Por në fund të vitit të kaluar, ajo arriti në 713 milionë dollarë, ose mbi 6 për qind e prodhimit kombëtar. Pjesën më të madhe të tyre, përkatësisht 523 milionë dollarë, e zënë konsumatorët familjarë.

Në vend të dytë vijnë bizneset, të cilat kanë 101 milionë dollarë borxhe, ndërkohë që ndërmarrjet publike buxhetore dhe ato jobuxhetore kanë 88 milionë dollarë të tjera detyrime ndaj shpërndarjes.

Dy ditë më para qeveria miratoi një ligj, i cili ndalon bizneset të marrin pjesë në tendera pa shlyer më parë të gjitha borxhet që kanë për energjinë. Por të dhënat tregojnë se mali i borxheve të akumuluara në sektorin energjetik do të kërkojë të tjera masa të forta.

Dhe këto janë vetëm detyrimet e njohura, që rrjedhin nga faturat e lëshuara, por të paarkëtuara nga CEZ. Ndërkohë që një pjesë edhe më e madhe e energjisë humbet ose vidhet në rrjet.

Top Channel