Grevë, drogë dhe “futboll”

11/06/2014 00:00

Leonard Boduri – 
Mbrojtja më e mirë është sulmi. Rilindësit “e pagabueshëm” kanë zgjedhur
pikërisht këtë strategji për të justifikuar qëndrimin e tyre ndaj
grevave të urisë. Qeveria e Rilindjes në sintoni të plotë me qeverinë e
mëparshme të Saliut, në vend që të merrej seriozisht me zgjidhjen e
kërkesave të grevistëve ka deklaruar me qesëndi “zbulimin e shekullit”
se grevat e urisë janë të dirigjuara nga opozita. E pastaj? Edhe sikur
të kenë mbështetjen apo dirigjimin e opozitës së vendit, a e ndryshon ky
pretendim të drejtën e grevistëve për t’u kthyer në vendin e punës? A
duhet të trajtohen me më shumë seriozitet të përndjekurit politikë,
tashmë “të burgosur” për së dyti në një grevë urie?

Greva e bukës

Rrallë mund të bëjë vaki, në “ishullin tonë afrikan” në mes të Europës, që një protestë apo grevë të mos ketë edhe ndikime partiake. E rëndësishme është të kuptojmë nëse grevat janë të drejta apo jo? Moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të gjykatave është thelbi i diskutimit që drejton gishtin e akuzës ndaj dyshes sulmuese Rama-Meta dhe moszbatimi i tyre dëshmon për falimentimin e balancës së pushteteve që mbajnë në këmbë sistemin demokratik. Të tjerat janë “dokrra hini”, siç pëlqen të perifrazojë kreu i ekzekutivit Fishtën, kur është me orë të mira në Parlament.

A kanë ndodhur dhe ndodhin rëndom shkarkime të padrejta dhe të paligjshme të punonjësve shtetërorë thjesht për arsye politike? A është e vërtetë që ditën për diell përgjatë 24 vjetëve të fundit është akumuluar një borxh i stërmadh publik vetëm për shkak të ndërprerjes së paligjshme të marrëdhënies së punës të mijëra punonjësve, pa dallim duke përfshirë të majtë dhe të djathtë? Në mënyrë të habitshme, askush nuk merret me drejtuesit dallkaukë që kanë firmosur dhe vazhdojnë të firmosin batërdinë e shkarkimeve politike. Ish-lufta e klasave është shndërruar në një betejë partiake për vende pune në administratë.

Marionetat e pushtetit nuk kanë mbajtur asnjë përgjegjësi ligjore dhe nuk u është nguluar as një gjemb në këmbë për dëmin e jashtëzakonshëm financiar të shkaktuar, kryesisht me urdhër nga lart. A mund të shërbejë sakrifica e grevës së bukës për të imponuar një iniciativë ligjore, për eliminimin e këtij krimi ekonomik gjakftohtë?

Këtu përjashtoj kategorikisht ndihmën apo ndikimin e ndonjë politikani të huaj shëtitës nga një vend në tjetrin, apo të fuqizoj idenë time me ndonjë citat apo fjali të huazuar nga ndonjë ambasador i emëruar nga qeveritë e huaja në vendin tonë. Asnjëherë nuk është vonë të ndërmerret një iniciativë ligjore, tërësisht produkt i politikës së brendshme, i cili do të mund të ngarkojë me përgjegjësi personale ligjore dhe financiare “firmëtarët” e shkarkimeve të paligjshme të punonjësve publikë. Po kush ta bëjë këtë?!
 
Dëshmitë e penalitetit të “Narkorepublikës”

Ka disa lloj bisedash që nuk mund të bëhen publikisht ose para kamerave televizive. Në këto biseda gati “intime” mund të perceptosh një dozë tolerance për trafikun e drogës. Symbyllja ka të bëjë me ndikimin “pozitiv” që mund të ketë hyrja e një sasie të madh parash, të pista apo jo në vendin tonë, pavarësisht qasjes tërësisht së paligjshme dhe dëmit në përdorim që mund të shkaktojë te përdoruesit finalë.

Ky qëndrim për fat të mirë në minorancë, nuk merr parasysh faktin se këto para të pista natyrisht nuk shkojnë në arkën e shtetit për t’u shpërndarë përpjesëtimisht më pas tek të gjithë qytetarët, por janë të destinuara të grumbullohen në pak duar trafikantësh të regjur, të cilët nëse arrijnë sot të blejnë kalimin e pashqetësuar të “mallit” të tyre nëpër territorin e vendit, nesër do të mund të blejnë media, politikanë, parlamentarë, ministra dhe pse jo të marrin kontrollin e vendit.

Opozita e vendit me anë të z. Basha qartësisht është distancuar fort nga “të mirat” që trafiku i drogës mund të ofrojë për vendin, duke e konsideruar këtë dukuri jo thjesht një kauzë të opozitës, por një kauzë kombëtare. Në këtë kuadër prej muajsh, opozita ka arritur me anë të denoncimeve të përsëritura publike t’i çjerrë maskën “meritokracisë” së Rilindjes në emërimet abuzive në administratën shtetërore të personave me precedentë penalë në trafikimin e lëndëve narkotike dhe jo vetëm, të cilët të shtyjnë drejt dyshimit të logjikshëm se mund të jenë katapultuar në këto pozicione të rëndësishme shtetërore, me qëllim që t’u lehtësojnë “punën” narkotrafikantëve.

Nuk kam aspak në mendje në këtë rrjedhë logjike të ngre gishtin e akuzës për bashkëpunim të hapur të ministrave apo kryeministrit të vendit me narkotrafikun, por reagimi mediokër i mazhorancës pas denoncimeve të provuara dhe të pranuara lë shumë për të dëshiruar. Edhe pse rilindësit e rinj në administratë janë kapur ditën për diell me presh në dorë, reagimi i qeverisë është limituar vetëm me flakjen nga administrata të “preshëve” të denoncuar. Në këta 9 muaj të Rilindjes “llamburitëse” nuk është bërë asnjë analizë e arsyeshme lidhur me mënyrën e vendimmarrjes dhe për “kriteret rigoroze” që janë zbatuar për emërimet në poste kyçe në administratë.

Çudia justifikuese që na serviret nga megamazhoranca, pas pranimit të fakteve të paraqitura me letra nga opozita, është se këta “tipat” e denoncuar kanë paraqitur dëshmi të pastra penaliteti të lëshuara nga Ministria e Drejtësisë e z. Naço, i cili është zotuar shpeshherë për reforma radikale në drejtësi. Ky fakt tregon ashiqare edhe vlerën e vërtetë dhe besueshmërinë e dëshmive të penalitetit dhe kërkesën urgjente për formulimin e një dokumenti të ri zyrtar që mund të pasqyrojë të gjithë regjistrimet e akteve të paligjshme brenda dhe jashtë vendit. Rilindja po ndjek taktikën e strucit, duke futur kokën në rërë. Reagimi zero i saj na shtyn drejt dyshimit të arsyeshëm se brenda megamazhorancës mund të ketë segmente të caktuara të lidhura me narkotrafikun, pasi askush nuk mund të çante dhe të fitonte “konkurset” brenda dy partive të mëdha PS dhe LSI pa përkrahjen e “udhëheqjes”.
 
Po ti sa gola do bësh sot?

Golat në këtë rast nuk kanë lidhje me nisjen e Botërorit në Brazil në ditët e ardhshme. Nuk ka nevojë mbase të sjellim në vëmendjen e publikut deklaratat stratosferike dhe kryekëput idiote të partive kryesore politike në të gjitha fushatat elektorale, pa përjashtuar edhe zgjedhjet e fundit parlamentare për hapjen e 200 mijë apo 300 mijë vendeve të reja pune, kur numri total i të papunëve sipas INSTAT është rreth 180 mijë. Me gjithë punonjësit që sipas pretendimeve të z. Veliaj “do të importohen” nga jashtë mund të arrijmë me hatër në shifrën 200 mijë. Sipas të gjitha gjasave, edhe pse nën diktimin e rreptë të qeverisë, i bie që INSTAT ka “manipuluar” shifrat, pasi nuk gjejmë dot një tjetër shpjegim të arsyeshëm për këto megapremtime të panevojshme.

Qasja e politikës ndaj punësimit ka qenë më shumë një keqkuptim elektoral sesa një strategji e qëndrueshme. Në të vërtetë këta politikanë, kur kanë premtuar punësim, nuk kanë pasur parasysh hartimin e politikave që do të rrisnin punësimin në vend, por kanë pasur në plan realizimin e kasaphanës që kur janë bërë administratorët e vendit, kanë kryer për të shkulur një militant të palës tjetër dhe për të ngulur një militant të vetin në administratën publike dhe kompanitë shtetërore.

A mundet që politika t’u japë fund njëherë e mirë premtimeve të fryra dhe pa kuptim për mijëra apo miliona vende pune, kur ne kemi më shumë nevojë thjesht për një ligjërim politik më të arsyeshëm? A ka ardhur koha që partitë politike në pushtet apo në opozitë të mos na tregojnë më përralla me mbret, por nëse bëjnë një premtim duhet detyrimisht të argumentojnë edhe mënyrën si do ta realizojnë premtimin e tyre? Gjithnjë e më shumë politika do të ketë nevojë të plotësojë kërkesat e votuesit gri, i cili reflekton preferencat e shoqërisë dhe nuk është i prirur të gëlltisë gënjeshtrat trashanike. Deri sa të vendosë politika shqiptare të hedhë një hap të tillë serioz në ligjërimin publik, ne do të vazhdojmë të tregojmë barsoleta me ose pa gola.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA