
Instituti i Statistikave raportoi se papunësia u rrit sërish në tre muajt e parë të vitit për të tetin tremujor me radhë.
Të dhënat nga anketa e fundit mbi forcat e punës tregojnë se në mars papunësia arriti në 18.3 për qind, nga 17 për qind që ishte në fund të dhjetorit të 2013-s.
Shkaku është rënia e fortë e numrit të të punësuarve në bujqësi. Sipas INSTAT, numri i fermerëve që kanë deklaruar se janë në punë ra me 42 mijë e 600 vetë vetëm në tre muajt e parë të vitit.
Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në bujqësi është ulur me mbi 115 mijë vetë. Kjo në një kohë kur bujqësia ka qenë një nga sektorët e paktë me rritje të prodhimit.
Saktësia e numrave të punësimit në sektorin bujqësor prej vitesh ka qenë një objekt debati jo vetëm mes ekspertëve, por edhe politikës.
Ndryshe nga sektori publik dhe ai privat jobujqësor, ku numri i të punësuarve vjen nga të dhënat administrative përmes listëpagesave nga tatimet, në bujqësi INSTAT e mat atë përmes pyetjeve direkte tek fermerët.
Kjo ka bërë që shpesh shifrat e punësimit në fshat, përveçse të kenë luahtshmëri të lartë, të jenë edhe të kontestuara.
Ndërkaq, ndryshe nga trendi i bujqësisë, numri i të punësuarëve tek ndërmarrjet private jobujqësore u rrit me 32 mijë vetë krahasuar me një vit më parë.
Top Channel