
Britania e Madhe, një nga vendet skeptike për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, duket se ende nuk e ka kristalizuar qëndrimin e saj zyrtar, për të mbështetur ose jo rekomandimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit Shqipërisë.
Pas takimit të sotëm në “Foreign Office”, në Londër, të ministres shqiptare të Integrimit, Klajda Gjosha, me ministrin britanik të Çështjeve Europiane, David Lidington, qëndrimi britanik mbetet për t’u diskutuar.
Edhe pse ministrja e cilësoi takimin e sotëm lobues të rëndësishëm, ajo tha se Britania e Madhe i sheh me pozitivitet arritjet e qeverisë së re shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar, antikorrupsionit dhe reformës në drejtësi.
Pyetjes së Top Channel në Londër se, a mund të thuhet që Britania i tha “Po” marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, zonja Gjosha iu përgjigj:
“Ajo mbetet për t’u disktuar. Patjetër që, z. Lidington më informoi se do të ketë edhe një takim tjetër gjatë kësaj jave, brenda instancave të larta të qeverisë britanike, për të diskutuar për vendimmarrjen e tyre për statusin. Por, mua më intereson fakti, që ata shohin me shumë pozitivitet arritjet e qeverisë sonë”.
Britania dhe Franca mbeten vendet, që mendohet se kanë ende hezitim për të mbështetur rekomandin e Komisionit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Ky hezimi duket se lidhet më shumë me nevojat dhe rrethanat e brendshme politike të këtyre dy vendeve, pas fitoreve spektakolare të partive anti-BE, në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian, se sa me hapat që ka ndërmarrë Shqipëria për të përmbushur kriteret.
“Skepticizmi britanik për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë, i cili u rrit pas cunamit euroskeptik në zgjedhjet e fundit europiane, duket se nuk është shuar edhe pas lobimit të sotëm në ‘Foreign Office’. Qëndrimi përfundimtar britanik, sipas të gjitha gjasave, do të kristalizohet në javët e ardhshme”.
Itali, Tahiri merr mbështetjen e Alfano-s
Ministri i Brendshëm, vizitë pune në Itali. Alfano vlerëzoi rezultatet e policisë shqiptare
Të martën, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, kreu një vizitë pune në Itali, ku u takua me homologun e tij Angelino Alfano.
Ministri italian i Brendshëm vlerësoi rezultatet e punës së policisë shqiptare gjatë muajve të fundit, që pas ndërrimit të pushtetit.
Tahiri e Alfano biseduan më tej edhe për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të drogës, teksa ministri italian u shpreh i gatshëm që Italia të ofronte asistencën e saj në betejën kundër kultivimit të drogës.
Në takimin mes tyre, nuk u la pa përmendur edhe çështja e statusit kandidat të Shqipërisë, për të cilin Alfano deklaroi se Italia do të lobonte për marrjen e statusit nga ana e Shqipërisë.
Top Channel