
E ndërsa Çekia duket se do të kthehet në problemin e radhës për statusin, duke krijuar një klimë presioni për çështjen e CEZ, qeveria shqiptare, për momentin, heziton ta komentojë këtë çështje, që në fakt ka ekzistuar, por çekët e kanë riaktivizuar dy ditët e fundit.
Top Channel pyeti zv/ministrin e Integrimit, Genti Elezi, nëse kjo ministri, apo ajo e Jashtme, janë duke u përpjekur për ta shuar këtë vatër kundërshtie për statusin, që kësaj here ka si protagonist qeverinë çeke.
“Sipas rregullave të lojës së integrimit, siç është rasti i raportit të KE, ne kemi besimin se baza e vendimit do të jetë ky raport dhe fushat që mbulon ai, të cilat ishin pjesë e vendimmarrjes në Dhjetor”, ka deklaruar Elezi.
Sakaq, ambasadori i Holandës në Tiranë, Martin De la Bej, për statusin deklaroi se Ministria e Punëve të Jashtme është duke hartuar propozimin e qeverisë, i cili do t’i paraqitet Parlamentit më 17 Qershor.
Bie entuziazmi europian në Shqipëri
Sondazhi: Më pak optimistë dhe më pak të besueshëm për BE-në
Zv/ministri Elezi dhe ambasadori De La Bej i bënë këto komente gjatë prezantimit të sondazhit të përvitshëm për Perspektivën Europiane të Shqipërisë, organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare.
Sipas këtij sondazhi, nga krahasimi të dhënave me vitet e shkuara bie mbështetja e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Europës. Nëse në vitin 2013 kjo mbështetje ishte 85%, në 2014 është 77%.
Për mosdhënien e statusit në dhjetor 37.6% e të anketuarve bëjnë përgjegjës qeverinë shqiptare, 29.8% partitë politike 13.7% të gjitha qeveritë e BE-së. Nëse Shqipërisë do t’i jepet statusi në qershor, 49.1% janë përgjigjur po, 28.3 jo.
Top Channel