“Presioni çek, i pajustifikuar”

10/06/2014 00:00

Pasi mediat çeke paralajmëruan bllokimin nga ky vend të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duke vendosur si kusht çështjen CEZ, pyetja që shtrohet është: A ka të drejtë Çekia ta bëjë këtë, në këtë rast?

Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Europiane, thotë se në këtë fazë të integrimit, Shqipëria pret vlerësimin politik nga vendet anëtare për kushtet e vendosura nga BE, kushte që Komisioni Europian, në raportin e publikuar më 4 Qershor, i çertifikoi pa asnjë dyshim si të përmbushura.

“Në këtë fazë do të thosha se do të ishte i paargumentuar një kushtëzim i Shqipërisë mbi probleme ekonomike, mbi çështje ekonomike si rasti konkret, dhe jo mbi ato kushte për të cilat Këshilli ka kërkuar më shumë kohë dhe një raport plotësues, që siç e dimë të gjithë, ishte shumë pozitiv dhe pa asnjë dyshim tashmë për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë”, tha Gledis Gjipali, EMA.

Gjergji Vurmo, drejtor programesh i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, shton se çështja “CEZ” mund të shndërrohet nga Çekia si bllokuese, në hapat e ardhshëm të rrugëtimit të Shqipërisë drejt integrimit, në rastin e negociatave, dhe jo të statusit.

“Është një çështje, e cila nëse nuk do të zgjidhet, në 10 vitet e ardhshme, do të ketë shumë raste që Çekia të bllokojë procesin e negociatave. Është një çështje që duhet marrë me shumë seriozitet nga ana e qeverisë shqiptare, mbi të gjitha duhet kuptuar se kompania CEZ, apo grupi CEZ, është në pronësi të qytetarëve çekë”, tha Gjergji Vurmo.

Çështja “CEZ” mes Shqipërisë dhe Çekisë, e mbartur nga qeveria paraardhëse, është një rast për t’iu rikujtuar drejtuesve të institucioneve për kujdesin, që duhet të tregojnë në vendimmarrje, thonë Gjipali e Vurmo, pasi në të ardhmen, kur vendi ynë do të kërkojë hapjen e negociatave, kriteret do të jenë të detajuara.

“Një vend anëtar i Bashkimit Europian do të mundohet të shfrytëzojë çdo rast për të mbrojtur interesat e veta dhe të qytetarëve të vet”, tha më tej Gjergji Vurmo.

“Është e rëndësishme të konsiderohen të gjitha elementet dhe të kihet parasysh se çdo gabim, çdo hap fals i institucioneve shqiptare, ndikon në të ardhmen e vendit”, shtoi Gledis Gjipali.

MPJ: Asnjë ankesë nga Çekia
Deri tani, Praga nuk ka ngritur asnjë pretendim

Rastet e bllokimeve, për interesa të njërit shtet kundrejt tjetrit, nuk janë të panjohura në historinë e zgjerimit të BE. Greqia, prej 6 vjetësh ka bllokuar çeljen e negociatave Maqedonisë, për shkak të problemit të pazgjidhur të emrit. Anëtarësimi i Kroacisë u rrezikua nga Sllovenia, për shkak të çështjes së kufirit mes tyre dhe, për ironi, edhe vet Çekia nga Austria, për polemikat për centralin bërthamor të CEZ, në kufi mes tyre.

Por, këto raste janë shënuar në një fazë më të avancuar se statusi i vendit kandidat, fazë në të cilën një vend aspirant vlerësohet vetëm për kriteret, që BE vendos si kushte. Për vendimin e 23 Qershorit, Çekia vet nuk e ka përmendur asnjëherë CEZ-in, si kusht në vendimin për statusin e Shqipërisë, as në deklarimin e përpara pak ditëve të ambasadores së këtij vendi.

Ministria jonë e Jashtme, gjithashtu konfirmon se nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga Çekia për këtë çështje.

Çështja “CEZ” nuk u shfaq për herë të parë gjatë këtyre ditëve. Në Dhjetor, gjithashtu, mediat çeke publikuan të njëjtin paralajmërim, por autoritetet e këtij vendi nuk shfaqen rezistencë në Këshillin e Ministrave, gjashtë muaj më parë, për statusin e Shqipërisë.

Pavarësisht se, zyrtarisht qeveria çeke i mohon këto lajme, informacionet që dalin në mediat çeke duket se janë qëndrime të filtruara jo zyrtarisht, po nga këta zyrtarë të qeverisë, në një moment delikat në negociatat mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke, duke e kthyer një vendim të mundshëm politik në një formë presioni ekonomik, për ta vënë qeverinë shqiptare në kushte të disfavorshme në raport me CEZ, kompaninë shtetërore çeke.

Top Channel