Nga Aleksandër Çipa – Në Prishtinë kanë nisur përllogaritjet se si dhe me kë do të jetë koalicioni i ri qeverisës. PDK e kryesuar nga Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, për herë të tretë fiton zgjedhjet dhe do të qeverisë vendin. Natyrisht, në mandatin e tretë, fitorja e Partisë nuk e kapërcen “shtatin” e Kryeministrit, pasi nuk mjafton për vetëqeverisje. Për këtë shkak, ditët e ardhme do të jenë pjesë e një procesi të vështirë, por edhe me shumë mundësi për krijimin e kabinetit të ri qeverisës.

Ky proces, me të panjohura të shumta, mund të konsiderohet si pjesa më substanciale e procesit zgjedhor, pasi ai lidhet me aritmetikën e kompozimit të aleancës qeverisëse. Kjo aleancë e pritshme qeverisëse është e panjohura e përkohshme e aktualitetit politik në Kosovë. Si e tillë ajo fillon dhe, për protagonist të parë, ka Kryeministrin në detyrë, zotin Thaçi, i cili me fitoren e re ka kapërcyer “rrethimet e kundërshtarëve”, por i duhet të kapërcejë “rrethimin e rezultatit”, i cili siç dëshmohet rëndom në traditën politike të pluralizmit, është më i vështirë se në disa lloje luftërash të ndryshme.

“Rrethimi i rezultatit” është i vështirë jo për shkak se fituesi i ri nuk gjen aleat apo partner, por në kësi pozicionesh të pamjaftueshmërisë së votave për të bërë shumicën e Kuvendit, nevojitet që nga hiseja e madhe t’i lëshosh ortakut hise më të madhe se shtati i tij elektoral. Kjo është risia e viteve të fundit në skenat politike shqiptare. Kosova këtë nevojë rishtare e ka edhe më të theksuar në ditët e ardhme, në kushtet kur pritet thirrja prej Presidentes Atifete Jahjaga e kryetarit të PDK-së, zotit Thaçi, për të krijuar kabinetin e ri qeverisës.

Shumica e llogaritësve dhe strategjistëve publikë dhe të afirmuar në rolin e këshilltarëve, mendojnë se më e mundshme dhe më e parë është oferta e pritshme që zoti Thaçi do t’i bëjë sivëllait të dikurshëm të idealit çlirimtar, sot kryetar i AAK-së, zotit Ramush Haradinaj. Një ofertë e cila nuk është e papritur dhe e paramenduar qysh në periudhën parazgjedhore.

Kryetari i AAK-së është kandidati i vetëshpallur për Kryeministër në të ardhmen, ndërkohë që është edhe ish-kryeministri me një histori politike të shquar dhe të përcjellë në kohë suksesi dhe “kohë humnere”. Mirëpo, zgjedhjet e fundit dhe sidomos rezultatet e dala nga votimet në të ashtuquajturat “zona bastion” si Gjakova dhe Peja, duhen lexuar si shenja të mjaftueshme për qëndrime realiste nga vetë zoti Haradinaj.

Gjithsesi, aleanca e mundshme dhe natyrisht edhe më e leverdishme për të dy, evidentohet si e tillë në nevojën për qëndrueshmëri të qeverisjes së re. Pra, nevojitet një qëndrueshmëri e re, me protagonistë të vjetër. Për t’u arritur kjo, zoti Thaçi duhet të tejkalojë planin e ndarjes së kabinetit për nesër, me atë të krejt pushteteve, në harkun kohor të katër viteve të ardhme.

Mirëpo, aleati më i ri dhe natyrisht edhe më i vështirë i mirëmenduar jo vetëm prej qeverisësit të vjetër Thaçi, por sidomos prej aleatëve ndërkombëtarë dhe sidomos prej mentorëve politikë: SHBA-ja dhe Brukseli parashikohet të jetë pakica serbe, pjesëmarrëse për herë të parë me vullnet zyrtar në procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës. Arsyet e kësaj oferte dhe nevoja taktike për ta kryevendosur atë si nevojë legjitime, janë lehtësisht të imagjinueshme dhe të pranueshme.

Por kjo formulë e parë, në rast se dështon, sërish ia jep mundësinë fituesit Thaçi të lëvizë nëpër oferta të tjera dhe të luajë përballë një shumice që i afrohet gati 60 përqindëshit të elektoratit. Mirëpo, në formësinë e vet të copëzuar kjo megaopozitë, nuk mund të marrë rolin e shumicës edhe pse rezulton më e madhe se pozita. Natyrisht, koha e ardhme parashikohet që “e vjetra”, (qeveria e mundshme Thaçi) të ndihet më e parehatshme përballë së resë; opozitë-shumicë. Por kjo është një çështje e ardhme me pasoja të pritshme.

Çarja e opozitës –shumicë në ecejaket bisedimore për formësimin e koalicionit të ri qeverisës, nuk është as qëllim dhe as nevojë. Nevojë e domosdoshme është ndarja me bujari dhe strategji largpamëse, e hisesë së pushtetit prej Kryeministrit të lodhur, por njëkohësisht fitues. Persët thoshin, “fituesi i lodhur, bëhet më i matur ose më djallëzor”. Predispozita për këtë bujari është shfaqur qysh në kohën e fushatës së përfunduar zgjedhore. Ofertat nuk priten vetëm nga fituesi në nevojë, por edhe nga të gatshmit për të qenë pjesëtarë të hisesë.

Këta të fundit janë pjesë e opozitës–shumicë, e cila do të copëzohet pashmangshmërisht. Koha dhe praktikat realpolitike dëshmohen dhe provohen edhe në realitetin e sjelljen politike të udhëheqësve partiakë të Kosovës. Secili prej këtyre udhëheqësve në ditët e ardhme do të bëjë ç’është e mundur të dëshmojë se është i gatshëm të provohet se mund t’ia dalë të jetë faktor korrigjues në qeverisjen e re të një Kryeministri të vjetër, sikundër edhe të “shtojë energji dhe rinim” në një administratë të lodhur nga qëndrimi në qeverisje për tri mandate rresht.

Kryeministri i mundshëm, Hashim Thaçi, është i projektuar dhe ka projektuar një vijimësi në qeverisje dhe në sfidat integruese. Për këtë arsye, pashmangshmërisht dhe përmes debatesh të hapura do të nisë të implementojë të ashtuquajturën politikë të “diskriminimit pozitiv” në raport me aleatët e mundshëm të qeverisjes, pra përfaqësuesit e pakicës serbe. Do të ketë tashmë Kosova rastin dhe përvojën e krahasueshme me PBDNJ-në e zotit Vangjel Dule në Shqipëri, ndonëse serbi “Dule” në Kosovë mund të rezultojë si aleat me përfaqësim më shumë se një person politik.

Nga pozita e fituesit në nevojë dhe me nevoja më të mëdha në ditët e ardhme, zoti Thaçi do të ndjekë javën e ardhme një proces të ri negociatash dhe ofertimesh me kandidatë për ortakë në qeverisje. Ky proces nuk mund të rivalizohet nga një tjetër i hamendësuar, sipas të cilit shumica e të mundurve, të ketë të drejtën për të bërë një shumicë opozitarësh. Këtu fillon skenari i kapërcimit të Thaçit, por …, kujdes se aty nis tejkalimi i sovranit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA