Në tetor të vitit 2008, qeveria shqiptare miratoi vendimin për shitjen e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike tek kompania çeke, CEZ.

“Kjo qeveri vendosi privatizimin dhe realizoi një privatizim plotësisht të suksesshëm. CEZ është një kompani me përvojë të madhe menaxhuese. Hapet një kapitull i ri, jashtëzakonisht i rëndësishëm”, do të deklaronte në mbledhjen e qeverisë më 29 tetor të 2008-ës, kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha.

Ky do të ishte akti i parë i një privatizimi që më vonë do të shndërrohej në një nga dështimet më të mëdha strategjike të vendit. Kontrata hyri zyrtarisht në fuqi 6 muaj më pas. Në 23 prill të vitit 2009, parlamenti miratoi marrëveshjen, e cila i kalonte monopolin e shpërndarjes së energjisë kompanisë çeke CEZ. Kur kishin kaluar vetëm 5 ditë nga ky akt, ish-kryeministri Sali Berisha mbërriti në pallatin qeveritar të Pragës për t’i dorëzuar homologut të tij çek, Mirek Topolanek kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Ndikimi i CEZ në politikën e Pragës është i pakufijshëm. Kompania ka pushtet të jashtëzakonshëm edhe nëse krahasohet me ish-monopolet gjigante, si EDF në Francë apo ENI në Itali. Edhe pse formalisht menaxhohet nga shteti, dyshimet janë se pushteti rrjedh në kahun e kundërt; nga bordi i CEZ në qeverinë çeke.

Vetë ish-kryeministri Topolanek ka kaluar përmes korridoreve të saj. Përballë kësaj situate dhe në prag të zgjedhjeve të 2009-ës, qeveria shpresonte se mpleksja me CEZ do të rriste aksionet e Shqipërisë në BE dhe kuotat e saj në publik.

Ndërkaq në Tiranë CEZ po tentonte të transferonte modelin e saj çek të pushtetit. Një javë para tenderit, qeveria hoqi me vendim 57 milionë euro borxhe nga bilanci i shpërndarjes dhe më vonë kompania u pastrua edhe nga humbjet.

Por lëshimet në privatizim ishin vetëm fillimi. Favoret vazhduan, që nga rritja e çmimit të energjisë dhe deri tek rishikimi i planit të humbjeve. Por favoret në letër nuk mund të fshihnin atë që ndodhte në terren. Përballë pritshmërive euforike, sistemi nën menaxhimin e çekëve i përkeqësoi të gjithë treguesit. Kompania u zhyt në borxhe duke mos paguar as KESH-in dhe futi gjithë sektorin në një zinxhir detyrimesh pafund, që arriti deri në 1 miliardë dollarë.

Në të njëjtën kohë drejtuesit e CEZ në kontradiktë me situatën paguheshin me paga që arrinin deri në 66 mijë euro në muaj, ndërkohë që fondi i pagave të menaxhmentit të kompanisë arriti deri në 5 milionë euro në vit. E zhytur në krizë, CEZ nisi presionin ndaj qeverisë për të mbledhur borxhet e institucioneve publike.

Konflikti arriti kulmin në vitin 2012 kur ajo ndërpreu energjinë e ujësjellësave në disa qytete, çka çoi edhe në protesta publike. Kjo shënoi zyrtarisht krizën e saj me qeverinë, që tre vjet më parë e kishte përzgjedhur vetë si fituese në tenderin e shpërndarjes. Në janar të vitit të kaluar përmes Entit Rregullator qeveria i hoqi licencën duke e përzënë CEZ-in përfundimisht nga Shqipëria.

“CEZ Shpërndarje filloi që të zvogëlonte blerjen e sasisë së energjisë që i përkiste si detyrë funksionale”, do të deklarohej në mbledhjen e 21 janarit të 2013 të ERE-s.

Ky ishte akti që zyrtarizoi dështimin më të madh strategjik, kostot e të cilit mbi qytetarët nuk dihen ende as sot. Prej janarit të vitit 2013 gjithcka mbeti në heshtje dhe Shqipëria rrezikonte arbitrazhin, ndërkohë që qeveria e re nisi menjëherë negociatat për të gjetur një zgjidhje mirëkuptimi. Por CEZ kërkon 200 milionë euro duke kërcënuar me arbitrazh.

Por ky nuk është presioni i vetëm. Një ditë më parë Çekia kërcënoi hapur se do të bllokojë statusin e Shqipërisë. Një dezhavu e kthyer mbrapsht. Shpresa se ajo do ishte pasaporta e Shqipërisë në BE u shndërrua në makth, sepse tashmë i gjithë pushteti i pafund i CEZ është mobilizuar kundër Shqipërisë.

Top Channel