
Kryeministri Edi Rama tha se kryefjala e këtij sezoni të ri turistik do të jetë pastërtia e plazheve në të gjithë vendin.
“Të kemi plazhe të pastra, të kemi rrugë nacionale të pastra, një fillim të ri në raportin turist-konsumator dhe vetë plazhit dhe natyrës. Për këtë është bërë një plan shumë i detajuar, civilo-ushtarak. Ushtarak në kuptimin e përpikmërisë”, deklaroi Rama.
Duke prezantuar masat e marra në prag të sezonit të ri turistik, kryeministri Rama siguroi qytetarët se historia e zaptimit të plazheve nga privatët do të marrë fund një herë e përgjithmonë, ndonëse kjo mund të shkaktojë konflikte.
“Nuk do ketë asnjë plazh ku 100 për qind ligjin do ta bëjë privati. Ai do të marrë me një kontratë me pushtetin vendor të drejtën për të shfrytëzuar një pjesë të kuadratit që do të mirëmbajë. Historia që për një shqiptar që të prekë rërën duhet të paguajë lekë, duhet të marrë fund pa tjetër”, theksoi Rama.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme nga ana e saj ka hartuar një plan të detajuar masash për të pritur pushuesit që këtë vit pritet të jenë rreth 3.5 milionë.
“Parashikojmë irorganizimin e strukturave të policisë në zonat turistike. Do mobilizohen 2.388 policë, 201 mjete transporti, 17 mjete lundruese dhe 1 helikopter për t’i vënë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ndërsa ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni tha se është ngritur një grup pune që do të menaxhojë sezonin turistik me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për pushuesit.
Top Channel