
Dogana shqiptare dhe “Crown Agents” do të nisin një fushatë të gjerë për kontrollin e çdo subjekti, të përfshirë në tregtimin e mallrave të akcizës.
“Janë produkte që kanë risk të madh, qoftë kontrabandimi, qoftë pagesash apo detyrimesh, prandaj fushata ka në target importues, prodhues, shpërndarës, depozitues dhe shitës me pakicë”, tha Elisa Spiropali, drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave.
“Gjatë kësaj fushatë do të merremi me identifikimin dhe hetimin e rasteve që ndoshta nuk janë vetëm të kohëve të fundit, por raste që mund të kenë nisur kohë më parë ku mund të zbulohen shmangje të detyrimeve”, tha David Smith, drejtor i programit të “Crown Agents”.
Fushata synon parandalimin e evazionit dhe sensibilizimin e operatorëve ekonomikë, që të kryejnë veprimtarinë e tyre duke zbatuar ligjet në fuqi.
Drejtoresha e Doganave, Spiropali, thotë se në rastet e subjekteve që shmangin detyrimet qëllimisht, ose për shkak neglizhence, do të merren masa sipas ligjit.
Për zëvendës/ministrin e Financave, Ervin Mete, kjo nismë do të bëjë që zbatuesit e ligjit të mos sulmohen nga informaliteti.
“Në muajt Shtator-Maj janë 230 mln dollarë të ardhura më shumë të realizuara nga të dyja administratat, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm për periudhën Janar-Maj, nga të dyja këto administrata janë realizuar 130 mln dollarë më shumë të ardhura se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe ne presim që ky trend të jetë vazhdues, pasi është synimi ynë”, tha Ervin Mete, zv/ministër i Financave.
Top Channel