Zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit ishin transparente, të organizuara mirë dhe pati progress të konsoliduar nga zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Kështu u vlerësua nga Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Megjithatë, afati i shkurtër për zgjedhje të jashtëzakonshme pati edhe efekte negative në disa aspekte.

“Hapja, votimi, mbyllja dhe proçedurat e numërimit në ditën e zgjedhjeve u vlerësuan pozitivisht nga vëzhguesit e BE-së. Njerëzit shprehën të drejtën e tyre të votës, duke përfshirë edhe veriun. Disa raste të izoluara të abuzimeve u raportuan, të cilat u adresuan në autoritetet përkatëse”, deklaroi Roberto Gualtieri, shef i misionit vëzhgues.

Pavarësisht përpjekjeve për reformim të sistemit zgjedhor, në Kosovë u pikasën të meta që gjatë dy proceve zgjedhore nuk u adresuan. Në raport thuhet se, disa vonesa dhe veprime nga ana e KQZ-së nuk rritën besimin e publikut në punën e tyre.

Ndërkohë, pezullimi i përkohshëm i përgatitjes së zgjedhjeve dhe mungesa e fushatës në veri, sipas vëzhguesve, ka ndikuar në informimin e votuesve.

Pavarësisht pastrimit të listave nga 20 mijë emra të personave të vdekur, vëzhguesit kanë vërejtur se besimi për saktësinë e listave vazhdon të jetë i ulët.

Shqetësim i madh mbetet fakti që rreth 500 mijë njerëz të cilët nuk jetojnë në Kosovë janë ende të regjistruar në regjistrin civil dhe në listën e zgjedhësve.

Lidhur me mbulimin mediatik, në raport thuhet se kanalet televizive ishin në kundërshtim me ligjin për sa i përket negociimit të çmimit për mbulim të sponzorizuar.

Përgjithësisht raportimi mediatik del i balancuar, përveç televizionit publik të Kosovës, që sipas raportit i ka dhënë më shumë hapësirë Partisë Demokratike të Kosovës. Këto të dhëna janë paraprake, ndërsa raporti zyrtar pritet të publikohet pas 2 muajsh.

Ashton: Kosova, zgjedhje demokratike
“Qeveria e re të vazhdojë reformat”

Ndërkohë, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton ka uruar votuesit për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit, të cilat sipas saj janë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë së Kosovës.

“Dëshirojmë të falënderojmë Misionin Vëzhgues të BE-së dhe shefin e tij, Roberto Gualtieri, për punën e tyre dhe për deklaratën paraprake të lëshuar sot. Vlerësimi i MVE-së konfirmon që zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë të rregullt”, shprehet Ashton në një komunikatë për shtyp.

Ndërsa ka falenderuar edhe OSBE-në për përkrahjen e saj, shefja e diplomacisë evropiane ka theksuar se, tani pret me padurim krijimin sa më të shpejt të qeverisë së re.

“Ajo do të vazhdojë punën në të gjitha sfidat kryesore, përfshirë reformat ekonomike, përpjekjet për të përmirësuar sundimin e ligjit si dhe vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes së prillit 2013, që rrjedh nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë”, ka thënë Ashton.

Ajo ka shtuar se, Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i angazhuar në perspektivën evropiane të Kosovës dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e saj në këtë drejtim.

Vuçiç komenton zgjedhjet
“Pa serbët nuk mund të konstituohet Parlamenti i Kosovës”

Serbia është e kënaqur me vendimin që serbët e Kosovës morën pjesë në zgjedhjet parlamentare. Kryeministri i serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se ky ka qenë hap i mençur, ndonëse ka pasur shumë probleme nga pala kosovare dhe pamundësim për të marrë më shumë mandate.

“Do të kërkojmë në bisedime që gjithnjë të mbrojmë interesat tona kombëtare. Nuk do të jetë e lehtë, por është një nga gjërat ku ne duhet të ecim para. Pa serbët nuk mund të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe ne do të bisedojmë për këtë”, ka thënë Vuçiç.

Ndërsa mediat serbe i kanë kushtuar rëndësi faktit që në Kosovë nuk ka pasur shumë incidente dhe se serbët në veri kanë votuar pa probleme. Fokusi kryesor i kohës pas zgjedhjeve është nëse serbët do të marrin pjesë në qeverisje dhe se si do të ndikojë pjesëmarrja e tyre në procesin e ardhshëm të bisedimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA