Basha: Prova e qeverisë, pas statusit

09/06/2014 00:00

I sapokthyer nga Gjermania, ku ka takuar disa parlamentarë të qendrës së djathtë në pushtet, kryetari i Partisë Demkratike Lulzim Basha u tregua optimist për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në fund të muajit.

Duke besuar se vendi e ka merituar prej kohësh këtë vendim, zoti Basha i kujtoi qeverisë se prova e vërtet për të vjen menjëherë pas statusit.

“Duam ta bëjmë të qartë për publikun se, në qoftë se përmbushëm pjesën dërrmuese të kushteve dhe kritereve për statusin, gjatë kohës që ishim në pushtet, dhe qeverisë së majtë nuk i mbeti gjë tjetër veçse ta merrte, tani me marrjen e shpresuar të statusit pas dy javësh është detyrë ekskluzive e qeverisjes Rama-Meta të përmbushë kriteret e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Ky është testi i saj, këtu do të tregohet kontributi real i kësaj qeverie për integrimin e Shqipërisë në Europë”, theksoi kreu i PD, Basha.

Përsa i përket aftësisë dhe vullnetit të qeverisë për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit, kreu i opozitës thotë se kjo është një nga pikat më delikate, ku qeveria ka dështuar plotësisht, duke mos përmbushur një nga premtimet e saj solemne, për rivendosjen e Rendit në 300 ditët e para të qeverisjes.

“E kemi thënë dhe po e përsërisim. Me Edi Ramën në krye të qeverisë, krimi i ka shpallur luftë shtetit, demokracisë, zgjedhjeve, vlerave”, u shpreh Lulzim Basha.

Zoti Basha thotë se situata e rendit është përkeqësuar edhe për shkak të largimit të profesionistëve nga policia, siç ishte – sipas tij – edhe shkarkimi i paligjshëm i disa ditëve më parë i 5 ish-drejtuesve të lartë dhe zëvendësimi i tyre me militantë partiakë.

“Është një akt tjetër flagrant i shndërrimit të Policisë së Shtetit në polici të partisë, të kupolës së Edi Ramës. Është një tjetër mesazh hakmarrjeje, arrogance, nënshtrimi dhe konformizmi, që i jepet gjithë trupës policore në vend. Opozita dhe qytetarët e lirë shqiptarë kanë barrën dhe detyrën të përgjigjen pa mëdyshjen më të vogël, pa u tërhequr, pa asnjë çmim, për të fituar me çdo kusht. Këtë kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, deri sa ligji të marrë fuqinë dhe krimi të marrë atë që meriton”, përfundoi zoti Basha.

Top Channel