
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të zgjeruar ndërinstitucional me drejtues e përfaqësues të ministrive dhe agjensive të lidhura drejtpërsëdrejti me procesin e legalizimeve.
Sipas zotit Rama, nga tetori i vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, në sportelet e ALUIZNI-t janë paraqitur mëse 41 mijë e 400 qytetarë që kanë kërkuar sqarime apo janë ankuar për zvarritje të ndryshme.
Kryeministri vlerësoi riorganizimin që iu bë ALUIZNI-t duke e sjellë më pranë qytetarëve: “Nga 1 marsi 2014 ka filluar dalja në terren e ekipeve që do të përfundojnë përgatitjet e dosjeve. Vetëm në këta 3 muaj janë kryer 11 300 procedura të reja. Një gjë është shumë e qartë: mungesa e koordinimit midis institucioneve dhe mungesa e vëmendjes së shumë institucioneve për t’u përfshirë në këtë proces si pjesë e procesit dhe jo si qeveri më vete. Kjo ka sjellë një penalizim të tmerrshëm të qytetarëve dhe një çorganizim të organizuar nga orvatjet për korrupsion në çdo nivel.”
Më pas, kryeministri u ndal në rëndësinë e secilit prej institucioneve duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm të tyre: “Jemi këtu për t’i dhënë një sens gjithë kësaj historie dhe për të kuptuar që ka një rol çdonjëri nga institucionet që janë sot këtu të përfaqësuar, pa llogaritur edhe Ministrinë e Brendshme, përkatësisht Policinë e Shtetit, që duhet të marrë një rol të dorës së parë në këtë proces.”
Top Channel