Bashkim Mehana, rreth 50 vjeç nga Vushtrria dhe Latif Jashari janë zyrtarisht viktimat e vetme të shpërthimit në Termocentralin A, në Obiliq të Kosovës. Mehana ishte i fundit që u nxorr nga gërmadhat e objektit ku ndodhi shpërthimi paraditen e së premtes.

Ndërkohë, 28-vjeçari Tefik Bela, pas 10 orësh të kërkimit është nxjerrë i gjallë nga rrënojat. Ai tashmë është duke u kuruar në urgjencën e Prishtinës dhe raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv i shërbimeve të KEK-ut, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve dhe kolegëve për humbjen e jetës së të njohurve të tyre, ka thënë se ky ishte personi i fundit i cili u gjet.

Nulleshi ka thënë se në momentet e mbrëmjes, në kohën kur edhe ka dhënë deklaratën, janë shteruar të gjitha mundësitë që të ketë edhe persona të tjerë të humbur në atë zonë.

Ndërkohë, mjekët ligjorë janë kthyer në departamentin e tyre dhe po bëjnë ekzaminimin e trupave të pajetë të Mehanës dhe Jasharit.

Në vendin e ngjarjes kanë mbetur vetëm zyrtarët policorë të cilët po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve që çuan në shpërthimin brenda termocentralit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA