
Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka denoncuar në një deklaratë për mediat largimin, sipas tij, të specialistëve të policisë nga detyra dhe zëvendësimin e tyre me militantë.
“Pak ditë nga rekomandimi i statusit, 18 oficerë kariere dhe 15 oficerë të lartë të policisë janë larguar nga detyra”, ka deklaruar Ristani, i cili ka fajësuar kryeministrin Rama për këto lëvizje.
“Kur sapo ka përfunduar greva e të larguarve nga puna, kur policia është çështje dite dhe kur pritet pjekuri nga kryeministri, Edi Rama largon profesionistët për t’i hapur rrugë militantëve”, ka thënë Ristani.
Ai është shprehur se, emërimi i personave me lidhje kriminale në të kaluarën po japin rezultate që i sheh vetëm qeveria Rama, ndërkohë që situata është ndryshe.
“Në këto 5 muaj kanë ndodhur 565 vjedhje prone më shumë se 6 muajt e mëparshëm. Kanë ndodhur më shumë aksidente, vrasje e më shumë viktima në këto 5 muaj sesa 6 muaj më parë. Kjo është hipokrizia e rilindjes, që përkeqëson jetën tonë çdo ditë”, ka shtuar Ristani në deklaratën e tij.
Top Channel