
Për kancelaren gjermane Angela Merkel, shtetet e Ballkanit perëndimor kanë perspektivë të qartë anëtarësimi në BE, edhe pse u mbetet një rrugë e gjatë përpara për të bërë.
Në mesazhin e saj të fundit me video, kancelarja theksoi se ka kritere të qarta sa i takon hapave të përafrimit me bllokun.
Gjermania, tha ajo, e mbështet aderimin, por përvoja na mëson se, “Kur para anëtarësimit nuk ka progres, me siguri puna pas tij nuk eshte më e lehtë“.
Perspektiva e anëtarësimit nuk është e shkruar vetëm në letër, por është e lidhur me programe të gjera mbështetjeje, vazhdon më tej Merkel. “Në fund të fundit vendet e kanë vetë në dorë nëse i përshkojnë fazat e veçanta shpejt apo jo“, u shpreh kancelarja.
Para së gjithash qeveria gjermane i shtyn shtetet aspirante për anëtarësim drejt një sistemi ligjor të besueshëm.
“Në të gjitha bisedimet me përfaqësues të këtyre shteteve qëndrojnë vazhdimisht në plan të parë çështje të shtetit ligjor. Ka programe këshilluese të gjera të BE-së, në të cilat merr pjesë edhe Gjermania”, shtoi Merkel, “Mirëpo natyrisht puna duhet të kryhet nga vetë vendet”.
Duke pohuar se ka pasur progres, kancelarja edhe një herë përsëriti se mbetet ende shumë për të bërë. Në mënyrë të veçante, ajo vlerësoi shprehimisht hapat përpara në bashkëjetesën e Serbisë me Kosovën, duke theksuar se konfliktet ekzistuese të shteteve të Ballkanit duhet të zgjidhen doemos para anëtarësimit në BE. Në rast të kundërt, sipas saj, përvoja tregon se përplasjet ose nuk zgjidhen më, ose do të zgjasin shumë.
“Për Ballkanin perëndimor do të ketë paqe vetëm atëherë kur të ketë edhe perspektivë europiane”, tha shefja e ekzekutivit gjerman, që duke iu referuar fillimit të Luftës së Parë Botërore para 100 vjetësh, kujtoi se historia europiane është pazgjidhshmërisht e lidhur me historinë e Ballkanit perëndimor.
Top Channel