Komitetit i Ministrave të Këshillit të Europës i kërkon Gjykatës së Strasburgut që t’i japë një vit kohë qeverisë shqiptare për të zgjidhur cështjen e pronave duke mos pranuar dosjet që do të dorëzohen në këtë afat.

Vendimi i KiE është marrë me kërkesë të qeverisë shqiptare që kërkoi t’i jepej kohë në rregullimin e të drejtës së pronësisë në Shqipëri, një çështje e mprehtë që zgjat prej 23 vitesh në vendin tonë. Megjithatë ky është një vendim politik dhe si i tillë që të ketë fuqi ligjore duhet të adoptohet nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar Kryeministri Rama. Ai e ka mirëpritur atë duke e cilësuar si “shpëtim nga gropa e papërgjegjshmërisë së trashëguar nga qeveritë paraardhëse”.

“Lajm i shumëpritur nga Këshilli i Europës për pronat. E shpëtuam vendin nga gropa që na la papërgjegjshmëria e paraardhësve. Tani të nxitojmë!”, komenton Rama në rrjetet sociale.

Ndërkohë, zv.Ministri i Drejtësisë, Idlir Peci në një deklaratë për shtyp tha se kërkesa e qeverisë shqiptare për shtyrjen e afatit të dëmshpërblimeve është bërë bashkangjitur me një plan konkret për mënyrën e kompensimit të pronarëve.

“Ne kemi aplikuar në gjykatë për shtyrje të afatit në mënyrë që të kemi kohën e nevojshme për të kryer ato reforma të nevojshme dhe të shumëpritura. Vendimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës është një vendim politik dhe një mesazh i qartë për mbeshtetjen që Komiteti i jep politikës së qeverisë shqiptare dhe është një lajm i mirë pasi jo vetëm vlerëson punën e deritanishme të qeverisë, e cila në vetëm 6 muaj ka bërë për çështjen e pronave shumë më shumë se ç’është bërë në këto 23 vjet së bashku, por është gjithashtu një lajm i mirë edhe për të gjithë ata qytetarë që në 23 vjet janë endur dyerve të gjykatave në kërkim të të drejtës së tyre. Nëse ky vendim politik i Komitetit do të adoptohet edhe nga gjykata ata do të shohin dritën jeshile të zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës”, tha Peci.

Megjithatë ky është një vendim politik dhe si i tillë që të ketë fuqi ligjore duhet të adoptohet nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Zv.ministri foli për një plan të qartë dhe realist të qeverisë për zgjidhjen e njëherë e përgjithmonë të cështjes së pronës.

“Qeveria shqiptare ka depozituar pranë Gjykatës së Strasburgut një plan të qartë dhe realist dhe është pikërisht kjo arsyeja pse për herë të parë në 23 vjet, Komiteti vendosi dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut po vendos ta mbështesë qeverinë shqiptare dhe planin e saj”, deklaroi Peci.

Top Channel