
Numri i pushuesve në plazhin e Durrësit është i paktë, ndonëse është fundjavë dhe sezoni turistik ka nisur.
Pushuesit ankohen për zaptimin e plazhit nga subjektet private, ndërkohë që Bashkia e Durrrësit nuk ka lidhur ende asnjë kontratë qiraje me ta.
Këtë të shtunë, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni ka inspektuar situatën dhe masat e marra në këtë plazh për të ofruar kushte sa më të mira për pushuesit, por është përballur me shqetësimin e pushuesve për mungesën e plazheve publike dhe morinë e ndërtimeve pa leje në bregdet.
Të tjerë kanë kërkuar të ndalet dora e betonizimit të plazhit dhe të ndërhyhet konkretisht në ndërtimet në bregdet.
Ministrja Gjermeni u shpreh se inspektimet në bregdet do të shoqërohen nga masa konkrete për të ofruar pushime më të mira këtë sezon, ndërsa në dispozicion të pushuesve do të vihet një numër telefoni ku mund të raportohen ankesat konkrete.
“Po shikojmë si janë kushtet realisht në plazh, si dhe sa është zbatuar vendimi i Këshillit të Ministrave për plazhet publike dhe private, sa të pastra janë këto plazhe. Inspektimi do të vazhdojë përgjatë gjithë verës. Ekipi i ministrisë do të vazhdojë në jug këtë javë. Duam që këtë sezon turistik, turistët të huaj dhe vendas të kenë kushte më të mira, më të shëndetëshme dhe shërbime më të mirë në stacionet e plazhit”, thotë Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.
Barra kryesore për të siguruar kushtet e dëshiruara dhe kthyer pushuesit në plazhe i bie bashkisë së Durrësit dhe ndërmarrjes komunale të saj.
“Ne jemi të angazhuar për të patur një marrëdhënie sa më të mirë me të gjithë vizitorët sepse edhe operatorët turistikë duan hapësirat e tyre, por nga ana tjetër edhe ne që duhet t’i kontrollojmë dhe t’i disiplinojmë”, thotë kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Në plazhin e Durrësit nuk është zgjidhur ende problemi i shkaktuar nga mungesa e nyjeve hidrosanitare, rojeve bregdetare, ndërsa shitësit ambulantë, në kërkim të fitimit ditor, ofrojnë një imazh të shëmtuar me larminë e produkteve që ofrojnë.
Ndërkohë edhe hapësirat për plazhet publike nuk janë përcaktuar ende nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe bashkia, ndërsa subjektet private ofrojnë shërbimin kundrejt pagesës edhe pse nuk kanë bërë ende kontratën e qerasë me pushtetin vendor, i vetmi autoritet që lejon shfrytëzimin e brezit ranor prej tyre.
Top Channel