Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi ka bërë të enjten fushatë në Skenderaj, vendlindjen e tij që është edhe bastioni kryesorë i PDK-së.
Thaçi e cilësoi Skenderajn si kryeqytet të atdhedashurisë dhe vatër e rezistencës popullore.
“Atdhedashuria është kultivuar gjithmonë në fshatrat e Drenicës dhe këtë e kemi dëshmuar sa herë që është paraqitur nevoja. Por, patriotizmi, që është karakteristikë e drenicakëve, tash në liri duhet të kanalizohet në patriotizmin ekonomik. Me Misionin e Ri, Skenderaj dhe Kosova do të përjetojnë bum ekonomik. Ne do t’i krijojmë 200 mijë vende të reja të punës, ku prej tyre 50 mijë do të jenë vetëm në bujqësi, sepse në katër vjeçarin e ardhshëm do t’i investojmë 500 milionë euro vetëm në bujqësi”, deklaroi Thaçi.
Nga Skenderaj Thaçi u është drejtuar edhe kundërshtarëve të tij duke u kërkuar që më 8 qershor në mbrëmje t’i pranojnë rezultatet. Sipas Thaçit, me Misionin e Ri askush nuk duhet të ndihet humbës pasi siç tha ai, gjithë vendi fiton.
LDK në Fushë-Kosovë
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë në Fushë-Kosovë se partia e tij e gëzon mbështetjen e gjerë në këto zgjedhje.
Mustafa ka premtuar se nëse i fiton zgjedhjet, do të hapë 120 mijë vende pune gjatë mandatit 4-vjeçar.
“Ne do të sigurojmë punë për qytetarin me të cilin ne do të sigurojmë se brenda 4 viteve të ardhshme të punësojmë 120 mijë të rinj, të krijojmë 120 mijë vende pune, ta subvencionojmë prodhimtarinë bujqësore në mënyrë që t’i shpenzojmë dhe konsumojmë produktet tona”, tha kreu i LDK-së.
Mustafa ka thënë se me qeverisjen e LDK-së, në pushtetin lokal nuk do të dallojë puna në interes të qytetarëve pa marrë parasysh cili subjekt është duke qeverisur.
Pacolli në Panairin e Librit
Në ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, lideri i AKR-së Behgjet Pacolli ka zgjedhur panairin tradicional të librit në Prishtinë për ta promovuar librin e tij të ri që flet për lobimin që Pacolli ka bërë për njohjet ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.
“Ne e vazhduam punën tonë, nuk lamë kënd pa lobu, nuk lamë kënd pa e vizitua dhe në këtë libër nuk kam dashur as të paraqes një mendim timin si ka shkuar ky lobim as nuk kam dashur ta influencoj lexuesin. Unë kam dashur t’i paraqes disa fakte reale dhe këtu do të gjeni vetëm pak fotografi. Ju e dini mirë se në fushën e lobimit nuk ka shumë fotografi, lobimi nuk bëhet publikisht, lobimi bëhet në një kanal pak a shumë diskret dhe kështu edhe ndodhi, por një gjë që është me rëndësi këtu, ju do të gjeni krejt korrespodencën të cilën të cilën e kam shkëmbyer me këta njerëz të politikës amerikane”, tha Pacolli.
Libri i Pacollit që mbanë titullin “Të lobosh për Kosovën, Pavarësia dhe SHBA-të“, është një përmbledhje dokumentesh që botohen për herë të parë, artikujsh, përjetimesh, dhe komentesh.
Limaj takime në vendlindje
NISMA për Kosovën ka bërë fushatë në vendlindjen e Fatmir Limajt. Ky i fundit ka thënë në këtë tubim se Malisheva e ka treguar vullnetin e saj për ndryshim në vjeshtën e kaluar dhe një gjë të tillë do ta tregojë edhe më 8 qershor.
“Ne po vazhdojmë me frymën e ndryshimit me vajza dhe djem të ri. Në Malishevë procesi i ndryshimit filloi me vajza dhe djem të rinj, intelektualët e Malishevës dhe kjo rreze e ndryshimit tash u kthye në promotor të rinisë së Kosovës, anë e kënd qytetarëve të Kosovës dhe sot rinia e Kosovës e ka marr fatin në duart e saj, sepse ajo e kërkon ndryshim, ajo kërkon jetë më të mirë, ajo kërkon mundësi më të mëdha për zhvillim dhe ndërtim”, deklaroi kreu i Nismës.
Limaj ka thënë se të rinjtë e Kosovës do ta votojnë NISMËN pasi sipas tij, ata kërkojnë ndryshim dhe mundësi më të mëdha.
VV fushatë në Junik
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim elektoral në Junik, ku kryetari Albin Kurti tha se ky vend i ka dhënë Kosovës shumë histori dhe shumë kontribut, por pas luftës ka fituar korrupsion e shumë padrejtësi.
Gjatë shpalosjes së alternativës qeverisëse, Kurti ka thënë se do të rritet buxheti edhe për drejtësi edhe për bujqësi, por po ashtu do të investohet edhe në industrializim.
Sipas Kurtit, vetëm Vetëvendosje di edhe guxon që t’i bëjë ndryshimet në sistemin arsimor, në shëndetësi, pensione dhe tatime.
AAK shpalos “Drejtimin e ri”
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka shpalosur programin “Drejtim i Ri” në Viti ku ka deklaruar se vetëm ky program mund ta zhvilloj vendin dhe ta çojë përpara në integrimet euroatlantike.
Haradinaj premtoi se do të qeverisë mirë me vendin dhe do të bëjë investime në qymyr dhe metale, përmes të cilave, sipas tij, do të rritet buxheti dhe do të krijohen vendet e reja të punës.
Top Channel