PD: Kokat e krimit në institucione

06/06/2014 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar sërish të premten emërimet, sipas saj, të elementëve të inkriminuar në poste drejtuese të institucioneve të vendit.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD Laura Vorpsi ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama për depërtimin, sipas saj, të krimit të organizuar në institucione.

“Po vendosen krerë të klaneve mafioze në krye të drejtorive të institucioneve. Trafikantët e drogës kanë kapur administratën nga zyrat e rretheve deri në majat e pushtetit ka deklaruar Vorpsi.

Ajo i është referuar emërimit së fundmi të një personi, që më parë ka drejtuar një organizatë kriminale dhe që në atë kohë ka rrëmbyer për qëllime përfitimi vjazën e një biznesmeni.  

“Përgjegjës për këtë është vetëm një njeri, Edi Rama. Teksa kjo ndodh, Rama fshihet nga mediat dhe kalon fundjavat me udhëtime turistike jashtë vendit.

I rrethuar nga kriminelët dhe i mbështetur prej tyre në fushatë, Rama konfirmohet çdo ditë si kumbari i këtij rrjeti mafioz”, ka thënë Vorpsi.

Hetimi parlamentiar i emërimeve
LSI: Duhen baza të forta, jo thjesht për debat politik

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka theksuar se ngritja e një komisioni hetimor për emërimet në administratë duhet të bëhet mbi baza të forta e që të kenë përmbajtje dhe jo që të prodhojnë akuza të kota politike.

Sipas tij, LSI nuk e konsideron komisionin hetimor thjesht si faktmbledhës për konferenca e akuza, por si një mundësi për hedhjen dritë mbi fenomenin.

“Duhet të trajtojë problematikën. Pra, të kemi një objektiv përpara. Mendimi ynë është që hetimi të shtrihet në kohë dhe të arrijmë një konkluzion të bazuar. Një konkluzion me paragjykime për një kohë të shkurtër nuk shërben”, ka deklaruar Vasili. 

Top Channel