“Durrësi në shembullin e Veronës”

06/06/2014 00:00

Qyteti turistik i Veronës, në Itali, mund të jetë shembulli udhëheqës i zhvillimit të Durrësit. Dy qytetet, përveç potencialit turistik, kanë të përbashkët edhe amfiteatrot të ndërtuar në kohën e Perandorisë Romake.

Mbi këto ngjashmëri, kryeministri Edi Rama, që është duke zhvilluar një vizitë dyditore në vendin fqinj, në takimin me kryebashkiakun e Veronës, Flavio Tossi kërkoi bashkëpunim të ngushtë mes këtij qyteti dhe Durrësit.

Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako shprehu angazhimin e tij për të binjakëzuar dy qytetet, si dhe për të marrë eksperiencat më të mira nga Bashkia e Veronës në mbrojtjen e amfiteatrit të Durrësit, që mendohet të jetë amfiteatri më i madh i ndërtuar jashtë kufijve të Perandorisë Romake, si dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në të.

Ndërsa në Venecia, kryeminstri Rama është ftuar të marrë pjesë në çeljen e pavionit shqiptar të Bienales. Por ai u ftua edhe në çeljen pavionit zviceran. Si i ftuar nderi, kryeministri Rama në bashkëbisedim me arkitektë, artistë dhe pjesëmarrës foli për eksperiencën e tij të ndryshimit të Tiranës, si ndërthurje mes punës dhe estetikës.

“Unë e nisa duke thënë që pritshmëritë e larta janë pjesa më e tmerrshme në jetën politike. Pas fitores së zgjedhjeve të vitit të shkuar, unë do të doja shumë që t’i zgjidhja problemet e vendit me anë të ngjyrave, por kjo nuk është më një opsion. Njerëzit kanë nevojë për punë dhe për shumëçka tjetër që nuk mund të zgjidhet nga ngjyrat, por unë besoj shumë që ajo domethënie që ngjyrat patën për qytetin ishte një leksion i madh që e bukura mund ta rindërtojë ekonominë dhe që e bukura mund të rindërtojë ndjenjën e jetës së përbashkët, ndenjën e komunitetit dhe të solidaritetit. E bukura mund të sjellë gjithashtu edhe më shumë rregull e ligj, sesa policia dhe forca. Kështu që nuk është thjesht çështje ngjyrash, por më shumë sesa me ngjyrat, kjo ka të bëjë me hijeshimin e hapësirës ku jetojmë”, u shpreh Rama.

I bindur në fuqinë transformuese të shoqërisë nga transformimi i ambjentit të përbashkët, kreu i qeverisë e nënvizoi këtë si leksionin e madh që ka mësuar.

“Unë kam parë zona periferike me shkallë të lartë kriminaliteti, sesi kanë ndryshuar thjesht duke transformuar hapësirën e tyre publike. Ndërsa kam parë edhe zona të tjera ku kriminaliteti është rritur, megjithëse numri i policisë është rritur, megjithëse numri i arrestimeve është rritur, megjithëse forca është rritur. Dhe ky është leksioni i madh që unë kam mësuar. Pra, që jo gjithmonë diçka është për t’u ndryshuar, por është diçka që mund ta përdorësh dhe ta kthesh në një pikë të fortë”, tha Rama.

Top Channel