
Kompania TAP njofton se po vijon punën me fazën e kualifikimit të kompanive, që do të ndërtojnë tubacionin me gjatësi 870 km, që lidh Greqinë me Shqipërinë, për të kaluar më pas në Itali, përmes detit Adriatik.
Këtë javë, konsorciumi ka lëshuar thirrjen e tretë në gazetën zyrtare të BE-së, për ndërtimin e dy stacioneve të kompresimit, përmes të cilave do të transportohen 10 miliardë metër kub gaz natyror në vit.
Një stacion kompresimi do të ndërtohet në Fier, ndërsa i dyti në Greqi, në afërsi të zonës së Kipoit. Kompanitë e interesuara mund të kryejnë aplikimin pranë TAP, jo më vonë se data 16 Qershor.
Përmes njoftimit, konsorciumi bën të ditur se vetëm një numër i kufizuar kompanish do të përzgjidhen, për të marrë pjesë në fazën e tenderit për ndërtimin e stacioneve të kompresimit.
Gazsjellësi Transadriatik, i cili do të transportojë gazin nga fushat e Shah Denizit në Azerbajxhan drejt Europës, nis ndërtimin në vitin 2015, për të përfunduar në 2019.
Top Channel