
Megjithëse raporti i Komisionit Europian një ditë më parë nënvizonte përmirësim në rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, opozita ka këmbëngulur në Kuvend në kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për të emëruarit në administratë, përmes të cilit synon hetimin e atyre që ajo i cilëson të inkriminuar dhe të përfshirë në trafikun e drogës.
Ndërsa mazhoranca u shpreh dakord me ngritjen e komisionit, por me shtrirjen e hetimeve për pesë vitet e fundit dhe jo vetëm për këto tre muaj sa është vendosur në objekt-kërkesën e opozitës, debati u kanalizua tek gjetjet e raportit të komisionit për krimin dhe korrupsionin kur kryetarja e komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, e komentoi atë: “Është e turpshme që besoni ato që shkruhen në letër. Realiteti është tjetër gjë.”
“Mos diskutoni çfarë shkruhet në raport sepse komisioni është strukturë e BE-së ku duam të integrohemi dhe nuk është as mik i opozitës dhe as i qeverisë, por i popujve aspirantë. Dhe sot, minimumi që mund të bëni ju është t’i kërkoni ndjesë opinionit publik për ato që keni thënë”, theksoi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Në mungesë të kreut të qeverisë në Parlament për shkak të vizitës jashtë vendit, ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë aktiv në podiumin e Kuvendit dhe i ka fokusuar akuzat tek ministri i jashtëm Ditmir Bushati: “Pse u bëre ti ministër me zero të dhëna në fushën e diplomacisë? U bëre sepse je neohoxhist!”
Bushati u përgjigj: “Nuk do replikoj me ty sepse kam respekt për sa ke bërë për këtë vend, por nuk mund ta them këtë për krimet që ke bërë dhe çfarë i shkaktove vendit”.
Megjithë replikat me krerët e opozitës, shefi i diplomacisë apeloi për qëndrime konstruktive pasi vendi ndodhet përpara provës së rëndësishme të marrjes së statusit të vendit kandidat.
“Siç keni nevojë ju dhe ne për statusin, kanë nevojë edhe shqiptarët, kanë nevojë të gjithë. Por për ta bërë këtë ne duhet ta shohim njëri-tjetrin në sy dhe jo të përdorim fjalore të turpshme ndaj komisionerit për Zgjerimin”, vijoi Bushati.
Top Channel