
Qeveria ka vendosur të mbështesë prodhimin bujqësor, në të gjitha serrat me ngrohje në vend, përmes financimit të naftës pa akcizë dhe taksë qarkullimi.
“Përmes këtyre masave shtesë, këto serra përfitojnë naftë rreth 40% më lirë se çmimi i tregut. Për çdo dynym serrë me ngrohje, ku kultivohen perime, zarzavate, erëza të ndryshme, kultivuesit përfitojnë 100 mijë lekë të reja”, tha Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave.
Për serrat me ngrohje, që përdorin lëndë djegëse solar, mbështetja që përfitojnë fermerët është 80 mijë lekë për çdo dynym tokë. Ministria sqaron se financimi do të merret mbi bazën e pagesave të drejtpërdrejta, pasi fermerët paraqesin dokumentacionin përkatës për zotërimin e aktivitetit.
“Bëhen llogaritjet e sakta për sipërfaqet dhe pagesa shkon drejtpërdrejtë në konton e fermerit, duke shmangur abuzimet e hipotezuara nëse ne do të operonim me skemat klasike të tollonave, apo skemave të tjera”, vijoi më tej ministri Edmond Panariti.
Ministria e Bujqësisë thotë se ky vendim ka fuqi prapavepruese, pra do të zbatohet edhe për prodhimet e dorëzuara tashmë, ashtu sikurse për prodhimin e ri.
Top Channel