
Opozita e ka shprehur shqetësimin e saj për vënien në rrezik të shtetit të së drejtës tek autoritetet që monitorojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri.
Një prej tyre, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, nëpërmjet bashkëraportuesit për Shqipërinë, Jonathan Evans, është njohur me shqetësimin kryesor të opozitës që lidhet, sipas kreut të Partisë Demokratike, me rritjen e kriminalitetit dhe narkotrafikut në vend.
Zoti Basha thotë se “trafiku i drogës me alibinë dhe mbrojtjen qeveritare, është një burim financimi i korrupsionit politik dhe përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për zgjedhjet dhe demokracinë”.
Opozita kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të përfshijë në raportin e monitorimit për Shqipërinë edhe shqetësimin e Partisë Demokratike për moszbatimin nga ana e qeverisë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të tjera për shkarkimet masive dhe të padrejta nga administrata publike, si dhe dhunimin e të drejtave të pronësisë së qytetarëve.
Këto shqetësime kreu i opozitës, Lulzim Basha, i ndau edhe me kongresmenin republikan David Jolly, një anëtar i ri i kongresit amerikan me një karrierë disa vjeçare prej lobisti. Në pikëpamjen e Partisë Demokratike, qeveria po mban qëndrime të papranueshme antikushtetuese dhe antiligjore me qëllim uzurpimin e insitucioneve të pavarura.
Por, edhe pse e përshkruan me nota negative qeverinë e koalicionit Rama-Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha bëri të qartë qëndrimin e pandryshuar të Partisë Demokratike për mbështetjen pa rezerva të çdo procesi që çon përpara integrimin europian të vendit.
Top Channel