Komisioni hetimor për emërimet

05/06/2014 00:00

Edhe këtë të enjte Kuvendi është përfshirë në debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, ku këtë herë në qendër të diskutimeve ka qenë kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për emërimet në administratë.

Maxhoranca pranoi ngritjen e komisionit hetimor të kërkuar nga opozita, por me një kusht.

“Ne jemi dakort për ngritjen e komisionit hetimor, por të ketë shtrirje kohore që nga viti 2009. Nëse jeni dakort me kërkesën tonë, urdhëroni që ta votojmë që sot”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.

Por opozita refuzoi propozimin e maxhorancës duke e cilësuar atë absurde.

“S’ka kuptim ngritja e një komisioni me kërkesën tonë dhe objektin hetimor tuaj. Nëse maxhoranca ka vullnet që ne ta diskutojmë le ta diskutojmë, por në një pikë nuk mund të ndryshojmë objektin e hetimit që lidhet me periudhën. Nuk mund ta përcaktoni ju objektin. Nëse doni të hetoni për atë periudhë nuk ju ndalon askush dhe ne do të marrim pjesë në atë komision. Nëse doni të diskutojmë me afatin që ne kemi kërkuar e miratojmë, nëse jo hajde të ulemi edhe për një javë”, reagoi kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ftoi palët që të ulen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët deri në javën tjetër.

Kuvend, debat për lëvizjet në polici
PD: Të hetojë prokuroria. PS: Policia, në rrugën e ligjshmërisë

Mazhoranca dhe opozita kanë lexuar raportet  e ndryshme të punës së komisionit hetimor parlamentar për lëvizjet në Policinë e Shtetit.

Deputeti demokrat Arben Ristani deklaroi se prokuroria duhet të hapë hetimet për emërimet në polici, por socialisti Taulant Balla tha se janë përmirësuar treguesit e punës së policisë dhe ajo është kthyer në rrugën e ligjshmërisë gjatë këtyre muajve të qeverisjes së majtës.

“Komisioni i rekomandon prokurorisë hetime për drejtuesit e Policisë së Shtetit që kanë shkelur ligjet gjatë lëvizjeve të burimeve njerëzore, duke i shkaktuar dëmtime buxhetit të shtetit dhe sigurisë publike. Hetimi i prokurorisë duhet të bazohet tek hetimi i komisionit tonë”, deklaroi Ristani.

“Nga janari në prill është sekuestruar 3 tonë marijuan më shumë se në 10 muajt e fundit të qeverisë së kaluar. Edhe të dhënat statistikore tregojnë se forca goditëse e policisë ndaj trafiqeve dhe krime është rritur. Çka i bën të pavërteta kritikat e opozitës ndaj reformave në polici. Na mbetet vetëm t’i themi faleminderit çdo punonjësi të policisë të angazhuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe çdo lloj kriminaliteti në vend”, tha nga ana tjetër Balla. 

Top Channel