Pas orësh ankthi, gjendet në Tiranë 15-vjeçari që kërkohej nga familja, ja si paraqitet gjendja e tij shëndetësore Komisioni Europian rekomandon sërish dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Fyle deklaroi se vendet anëtare të BE-së deshën më shumë kohe dhe më shumë progres nga Shqipëria, dhe ju ua dhatë të dyja.
Për të diskutuar për këtë vendim të Komisionit Europian, por edhe për pritshmëritë për vendimin e Këshillit të Ministrave, Klajda Gjosha, ministrja e Integrimit Europian foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”.
Pandi Gjata: Tashmë presim vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së dhe cilat janë pritshmëritë?
Klajda Gjosha: Ky moment është shumë i rëndësishëm për të folur për statusin kandidat, pasi tashmë Komisioni Europian e ka publikuar progres-raportin mbi Shqipërinë dhe ka deklaruar qartë se tashmë Shqipërisë duhet t’i jepet një ‘po’ e fortë për statusin e vendit kandidat. Kjo tregon jo vetëm mbështetjen e Komisionit Europian ndaj Shqipërisë, por edhe punën që ka bërë Shqipëria deri tani, duke filluar nga shtatori i vitit 2013 e deri sot. Mua më vjen mirë që më në fund progresi i bërë nga qeveria është pjesë e këtij progres-raporti, i cili do të ndahet edhe me vendet anëtare në javët në vijim kur të mblidhet Këshilli i Europës.
Pandi Gjata: Mund të themi tashmë se ajo që u kërkua në dhjetor është arritur? A na favorizon situata e re që u krijua pas zgjedhjeve të PE-së?
Klajda Gjosha: Vendet anëtare janë shprehur qartë se këtë radhë Shqipëria do të ketë një vlerësim shumë të qartë bazuar mbi progres-raportin, i cili u publikua. Shpresoj shumë që zgjedhjet për PE-në të mos kenë një ndikim për statusin, aq më tepër që mbledhja e parë e Parlamentit do të jetë në muajin korrik pasi do të jetë marrë edhe vendimi mbi statusin. Kjo mund të ketë një ndikim për të ardhmen, por ajo që i takon Shqipërisë është të çojë përpara reformat. Unë shpresoj që vendet anëtare të mbajnë fjalën e tyre ashtu sikundër ato janë shprehur edhe në takimet bilaterale që ne kemi pasur me to. Ky progres-raport konfirmon edhe një herë atë që vendet anëtare thanë për Shqipërinë, ku me të vërtetë u vlerësua progresi i arritur, por tashmë akoma më tej po vlerësohet qëndrueshmëria e arritjeve dhe e progresit, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pandi Gjata: Pas disa ditësh ju bashkë me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm do të udhëtoni për në Paris dhe më pas një vizitë dhe në Londër. Mund të themi se si paraqiten qëndrimet e vendeve skeptike të dhjetorit apo duhet të presim pasi të lexojnë progres raportin?
Klajda Gjosha: Qëndrimet e tyre janë mesazhe inkurajuese për qeverinë shqiptare dhe qytetarët. Ne tashmë kemi mbuluar vizitat në shumicën e vendeve anëtare. Shumë shpejt do të kemi një vizitë të Kryeministrit në Paris. Unë fatkeqësisht nuk do të jem atje pasi do të vizitoj Londrën dhe më pas në Hagë, kjo e fundit me ftesë të qeverisë holandeze, ku sërish do të diskutojmë për statusin e vendit kandidat. Të gjitha këto takimi ndikojnë për krijimin e një imazhi më të mirë për Shqipërinë, rikonfirmojnë edhe një herë progresin dhe vendosshmërinë tonë për të ecur përpara në procesin e integrimit. Axhenda e integrimit është ajo kombëtare, por ne do të presim datën finale për statusin.
Pandi Gjata: Në këtë situatë të re në rajon, por edhe në botë, në mënyrë të veçantë pas zhvillimeve në Ukrainë. A na favorizon qëndrimi që Shqipëria mbajti duke iu bashkuar sanksioneve që BE-ja ndërmori ndaj Moskës, pas aneksimit të Krimesë?
Klajda Gjosha: Shqipëria ka qenë gjithmonë një nga vendet më favorizuese për sa i përket procesit të integrimit dhe mendoj që edhe vendimi ndaj sanksioneve tregon unifikimin tonë me të gjithë vendet anëtare të BE-së. Unë shpresoj që edhe Ballkani t’i bashkohet kësaj iniciative. Çështja e Ukrainës ka zënë axhendën më të madhe të vendeve anëtare kohët e fundit, por pa lënë pas dore edhe vendet të cilat aspirojnë të jenë pjesë e BE-së. Unë shpresoj që çështja e Ukrainës të ndikojë për mirë në politikën e zgjerimit dhe të kuptohet rëndësia e përfshirjes të të gjithë shteteve që gjeografikisht bëjnë pjesë në Europë. Shpresoj shumë që në momentin e parë të hapjes së kësaj politike zgjerimi Shqipëria të jetë një nga vendet që do t’i bashkohet BE-së.
Top Channel