G7: Rusia të negociojë me Kievin

05/06/2014 00:00

Udhëheqësi e G7-s i kërkuan Rusisë të nisë negociatat me udhëheqësit e rinj të Kievit për t’i dhënë fund krizës në lindje të Ukrainës.

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe kryeministri britanik, David Cameron thanë se, “Moska duhet të njohë Petro Poroshenkon, që do të marrë detyrën si president të shtunën”.

Udhëheqesit e G7-s shprehën mbështetjen e plotë për Poroshenkon, ndërkohë që mbrojtën të drejtën kushtetuese të Kievit për të kthyer rendin ne lindje të vendit. Ata i bënë thirrje Rusisë që të mos ndërhyjë në Ukrainë dhe të ulë tensionet, në të kundërt do të përballet me pasoja.

Ndërsa duke folur në fund të takimit, presidenti Obama u shpreh kundër një daljeje eventuale të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. “E kam të vështirë ta imagjinoj BE-në të ecë mirë pa Britaninë dhe Britania nuk fiton ndonjë avantazh nëse del nga BE-ja”, deklaroi Obama.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit europianë të enjten në mbremje dhe të premten në Paris. Shefi i Kremlinit nuk ka përjashtuar një takim me Poroshenkon në ceremoninë e 70-vjetorit të Ditës së Zbarkimit të Madh në Normandi.

Samiti i G7-s, që u zhvillua në Bruksel, është i pari pa Rusinë dhe kjo erdhi si ndëshkim pas aneksimit të Krimesë. Të enjten udhëheqësit diskutuan për ekonominë botërore, ndryshimet klimaterike dhe çështje të zhvillimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB