Biznesi gjerman kthen sytë nga Shqipëria

05/06/2014 00:00

“Deutsche Bank” nuk ka asnjë aktivitet në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë se një nga bankat më të fuqishme të botës nuk është e interesuar për Shqipërinë. Përkundrazi!

Pas rreth dy javësh, në selinë e saj qendrore, “Deutsche Bank” organizon forumin ekonomik Shqipëri-Gjermani, me praninë e shumë sipërmarrësve gjermanë, të cilëve do t’u prezantohen mundësitë e investimit në Shqipëri.

Duke qenë se shteti gjerman është donatori më i madh për vendin, gjatë 20 viteve të fundit, dhe duke qenë se investimet gjermane janë më të lakmuarat, pala shqiptare i ka dhënë rëndësinë që meriton Forumit Ekonomik të Berlinit, ku Tirana zyrtare do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Është herët të thuhet se kur mund t’i japë efektet ky forum, por e rëndësishme është që Berlini ka vendosur të luajë rol aktiv në Ballkanin Perëndimor.

Samiti gjerman për Ballkanin
Në fund të Gushtit, kryeministrat e rajonit në Berlin

Këtë vendosmëri do ta tregojë vet Angela Merkel, në fund të Gushtit, sërish në Berlin. Kancelarja Merkel do të bëhet mikpritëse e një samiti rajonal, ku janë të ftuar kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një këndvështrim të ngushtë shqiptar, ky është një nga zhvillimet më pozitive, sepse Tirana intensifikon marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Berlinin. Para dy muajsh, mes Kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama u rivendosën urat e bashkëpunimit ekonomik dhe Gjermania rikonfirmoi interesin dhe mbështetjen e saj për Shqipërinë.

Në një këndvështrim më të gjerë, samiti rajonal i Berlinit mes kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të thotë se kjo pjesë e Europës është në rrugën e duhur për të forcuar marrëdhëniet me Gjermaninë. Një aleat i vlefshëm në këto kohë të vështira të rritjes së euroskepticizmit në Francë dhe Britaninë e Madhe.

Top Channel