
Përmes një rezolute, komisioni parlamentar i ekonomisë, i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë të prodhojë masa shtrënguese për të frenuar bankat private që t’i investojnë paratë jashtë Shqipërisë.
“Politikat e Bankës se Shqipërisë duhet të synojnë investimin e parave brenda, sepse ka rritje të investimeve jashtë. Vitin e kaluar kredia ra, por fitimet e bankave u rritën me 40 për qind. Diku i investojnë ata”, deklaroi ish-ministri i Financave Ridvan Bode.
Në fund të 2013-s, investimet e bankave jashtë arritën në 2.85 miliardë dollarë ose 14.3 për qind më shumë se një vit më parë. Ky fluks në rritje i investimeve në tregjet e huaja është shoqëruar me rënien e atyre brenda, veçanërsisht në formën e kredisë, e cila vitin e kaluar ra me 1.8 për qind.
Anastas Angjeli, hartues i rezolutës, tha se Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë më fort për të mbështetur ekonominë. “Shqiptarët duhet ta dinë që nëse ka dy mallra të shtrenjtë sot në treg është paraja dhe benzina. Të blesh lekë kushton dhe nuk mund të themi ne se banka s’ka rol në këtë pikë, për sa kohë ajo përcakton normën e interesit. Duhet të reagojë”, deklaroi Angjeli.
Mes rekomandive të shumta, një tjetër kërkesë e komsionit për bankën ishte ajo për forcimin e mbikëqyrjes në disa banka të veçanta, të evidentuara nga stres testi, i bërë vitin e kaluar në bashkëpunim me FMN-në.
“E bënë stres testin ata dhe problemet janë ato që dolën. Ju nxirrini përfundimet vetë, por unë i jam refreuar raportit të FMN-së”, shtoi Angjeli.
Po kështu, deputetët kanë përfshirë në rezolutë edhe disa pika që i tërheqin vëmendjen Bankës së Shqipërisë për shpenzimet e larta për paga dhe dieta.
Kjo është hera e para rezolutë e Bankës së Shqipërisë që hartohet përmes një diskutimi të hapur në komison nga të gjithë deputetët, ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani.
Top Channel