TAP, tërhiqen dy kompani nga projekti

04/06/2014 00:00

Agjencia prestigjoze e lajmeve “Reuters” bën të ditur se dy nga gjigandët energjetikë të përfshirë në gazsjellësin transadriatik, francezja “Total” dhe gjermania “EON” po planifikojnë të tërhiqen nga projekti. Të dy kompanitë zotërojnë nga 10 për qind të aksioneve në projekt, të cilat duket se kanë vendosur t’i shesin.

“Reuters” citon një zyrtar të lartë në kompaninë publike të gazit në Azerbajxhan, edhe kjo aksionere e TAP, i cili ka deklaruar në një konferencë për shtyp se vendimi për tërheqjen e dy kompanive lidhet me rënien e kërkesës për gaz në Itali.

Kjo lëvizje vjen një muaj pasi edhe “Gazpromi” rus deklaroi se do të ndryshojë pikën fundore të projektit South Stream nga Italia, duke e zhvendosur në Austri.

Gazsjellësi Trans Adriatik shihet nga Europa si një rrugë alternative për të zbutur ndikimin e Rusisë në tregun e gazit. Por analistët thonë se aspekti komercial e ka ndërlikuar projektin.

Dekadën e fundit kërkesa e tregut italian për gaz ka rënë me 15 për qind që nga piku i vitit 20005, duke hedhur dyshime mbi projektin që synon të sjellë më shumë gaz në një treg sakaq me tepricë oferte.

E kontaktuar nga gazetarët, zyra e shtypit në kompaninë “EON” nuk ka komentuar direkt mbi çështjen, por është përgjigjur se “EON” i rishikon në mënyrë të vazhdueshme opsionet strategjike të investimeve të saj, përfshirë ato në fushën e gazit.

“Këto rishikime mund të rezultojnë ose jo në vendime për të shitur kohë pas kohe asete të caktuara në portofolin e saj”, vijon përgjigjia e kompanise.

Vetë konsorciumi TAP dhe kompania “Total” nuk kanë komentuar mbi lajmin e tërheqjes së mundshme të dy kompanive. Por një javë më parë francezja “Total” deklaroi se do të shesë aksionet e saj në fushën e Shah Denizit prej nga do të furnizohet Gazsjellësi Trans Adriatik.

Top Channel