
Në lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror të lajmeve ka qenë zoti Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, por edhe ish-kryetar i Komisionit të Integrimit legjislaturën e kaluar, me të cilin Ilir Paço bëri një intervistë të shkurtër mbi vendimin e Komisionit dhe pritshmëritë për vendimin e ardhshëm final të Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Ilir Paço: Komisioni vlerësoi reformat e ndërmarra në rekomandimin e tij për dhënien e statusit për Shqipërinë. A mjafton ky rekomandim këtë radhë, që Shqipëria të marrë provimin në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të ministrave të BE-së?
Ditmir Bushati: Për herë të parë ne kemi një rekomandim të qartë, pa asnjë ekuivok, pa asnjë kushtëzim nga ana e Komisionit Europian, që nga dita që Shqipëria ka aplikuar për të qenë vend anëtar i Bashkimit Europian. Duhet të kuptojmë dinamikën e procesit dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve të ndryshme brenda Bashkimit Europian. Komisioni është një organizëm që vepron në emër dhe për kërkesë të vendeve anëtare. Në Dhjetor, vendet anëtare i kërkuan Komisionit që të paraqiste një raport në lidhje me progresin e reformave që do të kishte Shqipëria gjatë këtij 6-mujori, në fushën e sundimit të së drejtës, më specifikisht në fushat që kanë lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Komisioni Europian ka dalë në konkluzionin që Shqipëria ka një vijimësi solide reformash në këtë drejtim, ka një progres të qartë gjatë këtyre 6 muajve, ka bërë një analizë shumë të hollësishme të të gjithë treguesve të reformave, duke i krahasuar edhe me vitin e kaluar, dhe ka arritur në konkluzionin që Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat.
Ilir Paço: Mendoni se rrymat dhe partitë ekstremiste mund të kenë sjellë një situatë më të trazuar se ajo e Dhjetorit, mes vendeve skeptike të Qershorit?
Ditmir Bushati: Ka një dallim mes gjykimit që bën Komisioni Europian, i cili është i qartë, i ftohtë, teknik, dhe vendimmarrjes së vendeve anëtare, e cila është politike. Vendet anëtare nisen le të themi edhe nga konsiderata të brendshme politike, ndaj do të shohim dinamikën e ngjarjeve deri më datë 27, kur kryetarët e vendeve anëtare, pas datës 23 kur mblidhen ministrat e Punëve të Jashtme, do të vendosin në lidhje me Shqipërinë. Por, duke pasur parasysh faktin që procesi i zgjerimit bazohet mbi dy elementë thelbësorë, që është kredibiliteti i procesit, pra kredibiliteti i reformave të vendit aspirant, që gjykohet nga Komisioni Europian, dhe kredibiliteti i vet vendeve anëtare të Bashkimit Europian për këtë proces; dhe parashikueshmëria, një element jashtëzakonisht i rëndësishëm i këtij procesi, ku u vu shumë qartë në dukje në konkluzionet e Dhjetorit të vendeve anëtare të BE-së, ku u tha qartë se pas një vlerësimi që do t’i bëjë Komisioni këtyre dy fushave të rëndësishme, si korrupsioni dhe krimi i organizuar, vendet anëtare do të jenë në gjendje që të marrin një vendim për Shqipërinë. E gjithë kjo logjikë ndërveprimi mes Komisionit dhe vendeve anëtare më bën optimist që të besoj se më datën 23 dhe datën 27, vendet anëtare do të çertifikojnë këtë vlerësim të Komisionit Europian, i cili është i ftohtë, teknik, i paanshëm, siç është natyra e punës së Komisionit Europian.
Ilir Paço: Zoti Bushati, kryeministri Rama vizitoi Berlinin e Hagën dhe, javës tjetër, do të vizitojë Parisin. A mund të na thoni se cili është qëndrimi i këtyre vendeve tani dhe cilat janë vendet, që mund të jenë ende skeptike për statusin?
Ditmir Bushati: Vizitat tona në vendet e Bashkimit Europian kanë qenë konstante, ashtu siç ka qenë edhe dialogu ynë me të gjitha këto vende. Natyrisht, takimet e nivelit të lartë të Kryeministrit Rama me Kancelaren gjermane, me Kryeministrin holandez, me kryeministrat italianë dhe austriakë, dhe së fundi takimi që do të ketë me Presidentin francez, na bën të besojmë për një klimë më pozitive ndaj aplikimit të Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Le të mos harrojmë se të gjitha këto vende që unë përmenda, në një mënyrë a në një tjetër, kanë një qendrim më pozitiv se ç’kishin në Dhjetor. Deri diku, hezitimi i tyre para 6 muajsh ishte i kuptueshëm, për shkak të faktit që edhe në të shkuarën qeveritë shqiptare në fillim të mandateve të tyre mund të kenë bërë punë të mira, por më pas nuk kanë pasur një vijimësi reformash. Po të lexojmë me kujdes, edhe sot, raportin e Komisionit Europian, fjala kyçe e këtij raporti ishte vullneti politik, vijimësia e reformave, qendrueshmëria e reformave. Besoj se ky raport i Komisionit Europian, kontaktet dhe dialogu që ne kemi vendosur me të gjitha vendet anëtare, me vendet që janë në natyre pro-zgjerimit, me vende që janë në natyre pak më strikte me procesin e zgjerimit, me vende me peshë brenda Bashkimit Europian, na bëjnë të besjomë se Shqipëria këtë radhë jo vetëm do të marrë statusin.
Ilir Paço: Dhe kush mund të jenë më skeptikët…?
Ditmir Bushati: Unë s’kam preferuar asnjëherë të flas për vende skeptike dhe vende pro-zgjerimit. Besoj se procesi i zgjerimit është në ADN-në e BE-së, është politika më e suksesshme, më transformuese në BE. Ballkani Perëndimor është shembulli më elokuent i faktit që armiqtë kanë filluar të bëhen fqinjë. Ne sot po ulemi në një tryezë të gjithë së bashku, pavarësisht aspekteve të ndryshme historike që kemi, për të ndërtuar të ardhmen tonë europiane dhe në këtë pikëpamje besoj se të gjitha vendet e BE-së do të jenë të angazhuara për ta çuar përpara me sukses procesin e zgjerimit. Preferoj gjithmonë të flas për vende që, për nga natyra, janë më pro logjikës së procesit të zgjerimit, dhe për vende që, për nga natyra, janë pak më strikte për shkak se kontribuojnë më shumë dhe për shkak se në të kaluarën, në raste specifike, ndoshta nuk kanë pasur eksperiencat e pritshme me procesin e zgjerimit. Mund t’iu them se duke nisur nga Gjermania, Italia, Austria, Greqia, vend i cili mban presidencën e BE-së, vizitat e fundit në Holandë e Danimarkë, të gjitha këto vizita të kryera prej kryeministrit, prej meje dhe prej ministres së Integrimit, nga kryetari i Kuvendit dhe grupi i deputetëve të angazhuar në këtë proces, nga ministrat fusha e veprimit të të cilëve është e lidhur ngushtësisht me 5 prioritetet kyçe të identifikuara nga KE, na bëjnë të besojmë se ecuria e reformave të Shqipërisë është e tillë, që vendit do t’i akordohet statusi i vendit kandidat. Ka një kontekst edhe më të gjerë politik apo gjeo-politik, që janë zhvillimet në Ukrainë dhe Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që, përveçse është vend anëtar i NATO-s, demonstroi një konsistencë në njehsimin e pozicioneve të politikës së Jashtme të saj, me atë të BE-së, që është një demonstrim i vlerave europiane që ka Shqipëria, gjë që nuk u demonstrua për fat të keq nga një pjesë e mirë e vendeve të tjera të rajonit, pavarësisht se kanë statusin e vendit kandidat, apo janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE. Dhënia e statusit kandidat do të jetë stabilizuese për Shqipërinë, do të çojë në qoshe edhe elementë negativë të arenës politike shqiptare, që ne jemi mësuar të shohim, do të jetë një stimul për një kompromis dhe një konsensus më të madh për reformat që e presin Shqipërinë, do të jetë një sinjal shumë i qartë për rajonin, sepse do të inkurajojë faktorin politik shqiptar, kudo ku jeton, për të parë procesin e integrimit euroatlantik, si mënyrën e vetme të bashkëjetesës në rajon dhe të zgjidhjes së problemeve dhe natyrisht do të jetë edhe në interesin e Europës, për një Ballkan me stabilitet politik ku Shqipëria luan një rol vendimtar.
Top Channel