
Sheshi Tienanmen i Pekinit është mbushur me forca sigurie të mërkurën, në 25-vjetorin e shtypjes së pergjakshme të protestave studentore. Policët kontrollojnë dokumentet e identifikimit të çdo kalimtari e gazetarëve te huaj nuk u lejohet raportimi.
Për të siguruar heshtjen e aktivistëve në këtë përvjetor të masakrës, autoritetet kanë arrestuar me dhjetëra vetë, disa prej të cilëve, sipas Amnesty International, janë zhdukur.
Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Kinës t’i lirojë kritikët e qeverisë, pasi siç u shpreh zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf, si vend në rritje, ajo duhet të lejojë më shumë diskutime politike, sidomos para një përvjetori historik si 4 qershori i vitit 1989.
Një çerek shekulli më parë, protestues, shumica e të cilëve të rinj, dolën në këtë shesh me kërkesën për reforma politike, por kur ndjekësit e vijës së ashpër fituan luftën për pushtet brenda partisë komuniste, lidershipi urdhëroi shtypjen e përgjakshme të tyre.
Demonstratat e 89-s konsiderohen trazira anti-revolucionare nga autoritetet kineze, e për këtë arsye në Pekin nuk mbahen ceremoni përkujtimore. Në Hong Kong nga ana tjetër, me mijëra vetë pritet të marrin pjesë në tubimin e kujtesës së masakrës së Tienanmenit.
Protestat e asaj kohe përbëjnë grumbullimin më të madh të organizuar ndonjëherë kundër regjimit komunist në Kinë, që prej themelimit të Republikës Popullore në 1949.
Demonstratat që tërhoqën me dhjetëra mijëra vetë fillimisht ishin paqësore, por pas 6 javë tubime, autoritetet vendosën shtypjen e tyre me dhunë, çka kushtoi qindra jetë njerëzish.
Top Channel