Obama dënon “taktikat e errta ruse”

04/06/2014 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama dënoi “agresionin” rus në Ukrainë, duke i cilësuar taktikat e Moskës si “të errta e që i përkasin shekullit të 20”.

Duke folur në ceremoninë përkujtimore të 25-vjetorit të rënies së komunizmit në Poloni, shefi i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi demokracinë polake si një shembull për t’u ndjekur edhe nga Ukraina fqinje.

“Si mund të lejojmë që taktika të errta të shekullit të 20 të përcaktojnë rrjedhën e ngjarjeve në shekullin e 21?”, tha Obama.

Më herët presidenti amerikan zhvilloi një takim me presidentin e sapozgjedhur ukrainas, Petro Poroshenko, ku shprehu mbështetjen e Uashingtonit ndaj planeve të tij për të vendosur paqen në vend. Ai e cilësoi zgjedhjen e Poroshenkos “një zgjedhje të zgjuar të popullit ukrainas” dhe shprehu bindjen se Ukraina mund të shndërrohet në një demokraci vitale me ndihmën e aleatëve.

Takimi u mbizotërua nga ekonomia, edhe pse në thelb është përshkruar si demonstrim i mbështetjes amerikane për Kievin dhe forcat e tij të përfshira në luftime me separatistët pro-rusë të rajoneve lindore, që u konkretizua edhe me dhënien e një ndihme ushtarake prej 5 milion dollarësh për ushtrinë ukrainase, para që do të investohen kryesisht në logjistikë.

Pak pas mesditës së mërkurë, Obama mbërriti në Bruksel për të marrë pjesë në punimet e G7, ndërkohë që të premten, shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet të takohet ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë 70-vjetorit të zbarkimeve aleate në Normandi, në atë që njihet si “D-Day”.

Takimi do të jetë i pari mes presidentit amerikan dhe homologut të tij rus, që përplasjet për rastin “Snouden” e deri tek kulmimi i krizës ukrainase që ishte aneksimi rus i Gadishullit të Krimesë, në mars të këtij viti.

Top Channel