NATO, rreth 12 mijë trupa në Afganistan

04/06/2014 00:00

Një mision trajnues i udhëhequr nga NATO pritet të mbajë rreth 12 mijë ushtarë në Afganistan përtej këtij viti, përfshi rreth 8 mijë amerikanë, ndërkohë që rreth 1800 prej tyre do të zhvillojnë misione anti-terroriste, ka bërë të ditur gjatë së mërkurës një zyrtar i lartë ushtarak.

Shtetet e Bashkuara do të synojnë gjithashtu të marrin pjesë në përpjekjet anti-terrorizëm nga Kombet e Bashkuara me forca speciale të mirë-stërvitura, siç janë Britania apo Australia, ka shtuar më tej zyrtari, në kushtet e anonimatit.

Shifra prej 12 mijë ushtarësh të misionit trajnues të NATO-s, i dhënë nga zyrtari pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të aleancës në Bruksel, ishte maksimali i mundshëm i diskutuar më herët edhe nëpër korridoret e NATO-s.

Presidenti amerikan, Barack Obama, bëri të ditur javën e kaluar se SHBA-të do të pakësojnë forcat e tyre në Afganistan deri në 9800 ushtarë në fillim të vitit të ardhshëm, të cilët do të ndahen në ushtarë që do të marrin pjesë në misionin trajnues të NATO-s dhe në ushtarë që do të jenë pjesë e misionit amerikan për të luftuar militantët e al-Qaeda-s në Afganistan.

SHBA-të nuk kishin thënë se sa ushtarë do të merrnin pjesë në secilin mision, “por vlerësimet e mia janë për rreth 8000 ushtarë në misionin e NATO-s dhe numri total prej 12 mijë ushtarësh përfshin shifrat e planifikuara prej 8000 amerikanësh dhe 4000 të NATO-s”, tha zyrtari.

“Ka një sërë kombesh, të cilët kanë forca operacionale tepër të kualifikuara, të cilët do të mund t’i mirëprisnim si pjesë e përpjekjeve”, tha ai.

Top Channel