
Të mbledhur për herë të parë që prej krizës në Ukrainë dhe nën vëzhgimin e Rusisë, ministrat e mbrojtjes së NATO-s diskutuan mbi mënyrën afatgjatë të reagimit ndaj aftësive të reja ushtarake ruse dhe vullnetit të Kremlinit për t’i përdorur ato.
Anders Fogh Rassmussen, sekretar i pergjithshem i NATO-s, u shpreh: “Kemi marrë një numër vendimesh për ta ndrequr NATO-n, për ta bërë atë më të shpejtë e më të lakueshme. Sot e bëmë të qartë se NATO-ja mezi pret të punojë me presidentin e ri të Ukrainës dhe është e vendosur të mbështesë reformat atje në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.”
Përgjigja afatgjatë e Aleancës euro-atlantike përfshin një plan veprimi gadishmërie me kalendar të posaçëm për ushtrimet ushtarake dhe shtimin e mundshëm të vendosjes së trupave. Forcimi i mbrojtjes kolektive të Aleancës sigurohet dhe falë mbështetjes financiare prej 1 miliard dollarësh nga Shtetet e Bashkuara, siç rrëfeu Rassmussen.
Tryeza e aleatëve diskutoi mbi rendimentin e shpenzimeve ushtarake në kuadër të samitit të radhës, si dhe për Afganistanin, meqënëse në dhjetor përfundojnë operacionet ushtarake nën drejtimin e NATO-s.
Shqyrtimet e këtij ministeriali pritet t’i kalojnë samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive që mbahet në 4-5 shtator në Uells të Britanisë së Madhe.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel