
Prestigjozja “Financial Times” ishte ndër të parat që shkroi për perspektivën e pranimit të Shqipërisë nga BE-ja si vend kandidat për anëtarësim, lëvizje kjo që në këndvështrimin e të përditshmes ndërkombëtare, me shumë gjasa do të ngjallë antagonizmin e partive populiste anti-BE, të cilat fituan mjaft terren në zgjedhjet për Parlamentin Europian.
“Lëvizjet për afrimin e shteteve më të varfëra e kryesisht muslimane janë thellësisht përçarëse, sidomos prej frikës që po mbjell në kontinentin e vjetër emigracioni pa fre dhe krimi i organizuar”, shkruan gazeta.
Gjermania, Holanda, Britania dhe Franca e kundërshtuan kandidaturën e Shqipërisë vitin që shkoi, ndërsa vende si Italia e Greqia janë avokate të një integrimi më të thellë të shteteve ballkanike në bllokun europian, si mënyrë për të ndihmuar në zbehjen e konflikteve sociale e politike të rajonit.
Duke cituar ndalesën e komisionerit të Zgjerimit, Stefan Fyle në Tiranë, me misionin e raportimit mbi progresin e shënuar nga vendi ynë në drejtim të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar apo reformave juridike, gazeta shton se pas kësaj vizite, 28 anëtarët e bllokut me shumë gjasë do ta aprovojnë kandidaturën në takimin e fundmuajit.
Fillimisht Komisioni Europian e kishte propozuar në muajin dhjetor marrjen e statusit të vendit kandidat, por sugjerimi i tij u kundërshtua nga disa prej vendeve anëtare me argumentin se nevojitej më shumë progres sa i takon sundimit të ligjit.
Vendimi për të shpërblyer Shqipërinë – ish shtetin e mbyllur diktatorial të Enver Hoxhës – me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, është sipas “FT” një test për bllokun ku jo vetëm populistët, por edhe partitë “mainstream” janë skeptike mbi aftëstinë e zgjerimit me anëtarë të rinj pas krizës së thellë të eurozonës.
UKIP-i në Britani e ka përshkruar kandidaturën tonë si “marrëzi të pastër” dhe kryeministri David Cameron e ka përdorur edhe ai si vegël politike. Në dhjetor, Cameron pati kërcënuar se do t’i vinte veton zgjerimit nëse nuk do të miratoheshin rregulla të reja për frenimin e atij që e cilësoi “emigracion masiv”.
Artikulli citon më tej deklaraten e kryeministrit Edi Rama, i cili paralajmëron se për BE-në do të ishte me rrezik t’i kthente shpinën Ballkanit, duke qenë se i gjithë progresi drejt paqes dhe prosperitetit në rajon ka ardhur si pasojë e aspiratave për t’u bërë pjesë e bllokut.
Një sërë mediash të huaja e raportojnë lajmin e mbështetjes së Brukselit për kandidaturën e Shqipërisë me argumentin se vendi ynë e meriton statusin, ndërsa fjala e fundit i takon Këshillit Europian me vendimin që do të marrë në fund të muajit. Për çdo rast, sipas “FT”, rruga drejt aderimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë, ndërsa nuk priten anëtarësime të reja në bllok deri pas vitit 2021.
Top Channel