Ligji i ri për ish-të përndjekurit

04/06/2014 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, ka bërë publike ndryshimet e reja në ligjin e ri për kompensimin e ish-të dënuarve politik, ku parashikohet se prioritet kryesor në shlyerjen e detyrimeve do të kenë personat që janë gjallë.

“Dua t’iu informoj se qeveria sapo ka marrë një vendim, që sjell disa ndryshime për të përndjekurit politik dhe kryesisht për kompensimin e tyre.

*Prioritetin e parë e kanë ish-të dënuarat politike femra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji.

*Më tej vijojmë me ish-të dënuarit politik që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç në momentin e miratimit të këtij ligji.

*Ish të dënuarit të cilët vuajnë sëmundje të rënda sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm.

*Ish-të dënuarit politik që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht moshës, kanë pasardhës të radhës së parë, pra fëmijë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

*Ish-të dënuarit politik që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë që janë në moshë të mitur, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

*Ish-të dënuarit politik që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë edhe nën 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji.

Kjo është renditja, që besoj se i sjell një fytyrë të re humane këtij ligji”, u shpreh ministri Erjon Veliaj.

Top Channel