
Kryebashkiaku i Venecias është mes 35 personave të arrestuar në Itali për korrupsion lidhur me barrierat e reja mbrojtëse të qytetit. Giorgio Orsoni e dhjetëra zyrtarë të tjerë janë prangosur me pretendimet e mitmarrjes në tenderat publikë të projektit “Moisiu”.
Rreth 80 diga të lëvizshme do të përdoren sipas këtij plani për të mbyllur lagunën e Venecias në rast rritjeje të nivelit të detit. Qyteti preket çdo vit nga përmbytje të mëdha.
Ndërtimi i barrierave nisi 11 vjet më parë, por është zvarritur prej mungesës së fondeve. Hetuesit po verifikojnë pretendimet se 20 milionë euro nga fondet publike janë dërguar në llogari bankare jashtë kufijve me qëllimin që të përdoren për financimin e partive politike.
Arabia pranon rrezikun nga virusi MERS
Arabia Saudite pranoi se e ka nënvlerësuar rrezikshmërinë e situatës nga virusi vdekjeprurës i rrugëve të frymëmarrjes, MERS dhe e rriti bilancin e vdekjeve nga 190 në 282.
Shifrën e re e njoftoi Ministria e Shëndetësisë pas një rishqyrtimi të rasteve të sëmundjes, ndërsa ndryshoi edhe numrin e përgjithshëm të të prekurve në 688, nga 113 që raportoheshin më parë.
MERS-i është i ngjashëm me virusin SARS që vrau 800 vetë në mbarë globin në vitin 2003. Sëmundja shpesh nis me simptoma të gripit, por mund të çojë në pneumoni, probleme të frymëmarrjes dhe, në raste të rënda, dëmton veshkat e shkakton vdekjen.
Talebanët publikojnë videon e Berdahl
Talebanët publikan videon e dorëzimit të ushtarit të fundit amerikan të mbajtur peng në Afganistan, ku Bowe Bergdahl shihet fillimisht i ulur në një kamion e pastaj duke ecur drejt helikopterit.
Por lirimi në shkëmbim të 5 të burgosurve të Guantanamos, ka tërhequr një valë të gjerë kritikash në Amerikë, sidomos nga ata që thonë se rreshteri ishte një dezertor.
Ish-drejtuesi i njësisë se Bergdahl në Afganistan thotë se disa ushtarë vdiqën si rezultat i drejtpërdrejtë i largimit të 28-vjeçarit nga baza, ndaj trajtimi i tij si hero është ofendues për viktimat e veprimit të tij.
Top Channel