
Prokurorët federalë gjermanë do të hetojnë raportimet mbi përgjimin e mundshëm të telefonit personal të kancelares Angela Merkel nga agjencitë amerikane të inteligjencës.
Prokurori federal, Harald Range njoftoi Komisionin e Ligjeve të Bundestagut mbi nisjen e hetimeve që do të bazohen kryesisht në raportimet e ish-agjentit, Eduard Snouden të agjencisë amerikane të sigurisë, NSA.
Kancelarja Merkel publikisht ka kërkuar sqarime nga autoritetet amerikane lidhur me këto raportime, ndërkohë që njoftimi për nisjen zyrtarisht të hetimeve nga autoritetet federale gjermane mbërrijnë në kohën kur Presidentit Obama ka nisur turin e takimeve zyrtare në Europë ku kryefjala është siguria.
Por përvec përgjimit të Merkel objekt i hetimit do të jenë edhe raportimet mbi përgjime masive të qytetarëve gjermanë nga ana e NSA-së, një kërkesë kjo edhe e opinionit publik vendas që ka rritur presionin për një hetim të plotë dhe masiv të kësaj cështjeje.
Bërja publike e dokumenteve sekrete nga ana e Eduard Snouden, ish-kontraktori i CIA-s që strehohet në Rusi shkaktoi një stuhi në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj europianë.
“Ne jemi aleatë, miq dhe miqtë nuk përgjohen”, do të deklaronte në atë kohë kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Por përvec Gjermanisë, aktiviteti i përgjimeve të NSA-së, sipas dokumenteve të publikuara nga Snouden, shtrihej edhe në vendet e tjera të Europës, në Francë, Itali e madje edhe në Britani ku përgjimi ishte realizuar me ndihmën e vetë agjencive britanike.
Snouden do të deklaronte se programi ishte ngritur për identifkimin dhe parandalimin e elementëve terroristë, por më vonë devijoi duke përgjuar programet ekonomike të koorporatave dhe qeverive botërore.
Të mërkurën Obama dhe Merkel do të takohen në Bruksel për punimet e samitit të vendeve të G7-s, punimet e të cilit do t’i dominojë koordinimi i veprimeve ndaj Rusisë si përgjigje e ndërhyrjes së saj në Ukrainë.
Obama nisi turin e tij europian të vizitave në Poloni. Nga Varshava shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi dhënien e një fondi prej 1 miliard dollarë për rritjen e prezencës ushtarake në Europë, vecanërisht në lindje të saj.
Top Channel