Edhe kompani shqiptare në TAP

04/06/2014 00:00

Projekti TAP ishte në fokus të takimeve që ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri pati në Baku të Azerbajxhanit. Ministri kërkoi përfshirjen e bizneseve lokale shqiptare deri në 30% të punimeve civile që shoqërojnë realizimin e projektit në terren.

Ndërsa në takimin me homologun azer, Natig Aliyev, Gjiknuri finalizoi memorandumin përmes të cilit qeveria azere angazhohet të ndihmojë Shqipërinë për zhvillimin e Master Planit të Gazifikimit.

Ministri kërkoi bashkëpunim dhe për vënien në punë të Termo-Centralit të Vlorës, duke shfrytëzuar infrastrukturën potenciale lidhëse të projektit TAP.

Në një tjetër takim me presidentin e kompanisë shtetërore të naftës ‘SOCAR’, Rovnag Ibrahim Abdullayev, Gjiknuri u ndal më konkretisht në nevojën që ka Shqipëria për diversifikimin dhe balancimin energjitik të vendit, përmes gazit. Në këtë aspekt, Gjiknuri diskutoi mbi mundësinë e furnizimit të gazit për prodhim energjie, me cmim të lirë.

Në selinë qendrore të kompanisë British Petroleum që zotëron 20 % të aksioneve të TAP, Gjiknuri takoi zëvendës presidentin për Koridorin Jugor të Gazit Josph Murphy i cili vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare në lehtësimit e implementimit të projektit TAP në Shqipëri.

Në kuadrin e ndryshimeve të fundit të aksioneve të konsorciumit për segmentet respektive Shah Deniz, TANAP, zoti Murphy u shpreh për nevojën urgjente të realizimit të procedurave të këtij Projekti për diversifikimin e Gazit në këto rajone.

Top Channel