Basha: Mbështetje pa kushte integrimit

04/06/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi sot paradite disa takime në Parlamentin gjerman me qëllim lobimin e opozitës për marrjen e statusit të vendit kandidat në fund të muajit.

Në takimin me kryetarin e Komisionit për çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Kirshbaum, kryetari i opozitës theksoi se PD-ja është e vendosur të mbështesë pa asnjë rezervë dhe pa kushtëzim integrimin europian të Shqipërisë, gjë që e ka dëshmuar gjatë gjithë këtyre muajve.

Z. Basha kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për një vendim pozitiv në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për marrjen e statusit, sepse, siç është shprehur ai, “Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë statusin”.

Njoftimi zyrtar thotë se bashkëbiseduesit vlerësuan qëndrimin e kryetarit Basha dhe PD-së për mbështetje të pakushtëzuar për integrimin europian të Shqipërisë si dhe punën e bërë nga PD-ja gjatë qeverisjes së vendit për realizimin e reformave të rëndësishme që bënë të mundur rekomandimet pozitive për marrjen e statusit.

Duke iu referuar situatës aktuale, zyrtarët e lartë gjermanë theksuan se respektimi i shtetit ligjor dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave, respektimi i institucioneve të pavarura dhe garantimi i hapësirës institucionale për opozitën si dhe lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, janë standarde europiane të panegociueshme.

Top Channel