
Shkon në 7 numri i viktimave në betejën e ashpër të zhvilluar gjatë ditës së hënë në Lindjen e rebeluar të Ukrainës, pasi një milici pro-ruse ka sulmuar postën kufitare ukrainase me armë automatike dhe granata-hedhëse.
Numri i viktimave është konfirmuar nga shërbimet mjekësore të qytetit të Luhansk, ndërkohë më herët zëdhënësi i postës kufitare, Oleh Slobodin tha se 9 ushtarë ukrainas ishin plagosur, ndërsa 5 prej agresorëve janë vrarë.
Beteja e ashpër mes qindra separatistëve pro-rusë dhe ushtarëve ukrainas zgjati me orë të tëra. Pro-rusët kishin zaptuar katet e sipërme të një blloku apartamentesh dhe kanë qëlluar në drejtim të postës kufitare, shumë pranë kufirit me Rusinë.
Luftimet e fundit sollën edhe kritika të reja nga SHBA-të mbi ndikimin e Rusisë në dhunën në Lindje të Ukrainës.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki tha se Rusia nuk ka bërë asgjë për të frenuar dhunën në Ukrainë.
Top Channel