Udhëtimi falas për invalidët

03/06/2014 00:00

Operatorët e transportit publik i kanë lënë edhe një muaj kohë  Ministrisë së Mirëqënies Sociale për amendimin e ligjit për kompensimin kundrejt njohjes së udhëtimit falas për invalidët.

Në një takim mes tyre, këshillit të aftësisë së kufizuar dhe nënkryetarit të bashkisë u vendos që edhe këtë muaj personat me aftësi të kufizuar do të udhëtojnë falas.

“Ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për transportin publik i kanë dhënë rrugë pretendimeve të operatorëve privatë për të pretenduar kompensimin e transportit për personat me aftësi të kufizuara. Duhet të bëhet e qartë që e drejta e transportit, e qarkullimit është e drejtë e rëndësishme që ja njeh ligji dhe askush nuk mund ta cënojë. Operatorët privatë kanë të drejtën e tyre tani sipas ndryshimeve ligjore dhe qeveria duhet të përcaktojë masat, kriteret dhe procedurat që i ka marrë përsipër të nxjerrë me vendim qeverie”, deklaroi Sinan Tafaj, President i Këshillit të Aftësisë së Kufizuar.

Nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo tha se kjo situatë nuk duhet shfrytëzuar politikish, por përgjegjësia për ta zgjidhur është e qeverisë.

“Nuk lejojmë që në një gjë kaq të rëndësishme sic është shërbimi i transportit për Tiranën dhe ofrimi për shtresat në nevojë të luhet politikisht. Kjo nuk është pjesë e politikës, kjo është pjesë e shërbimit për qytetarët e Tiranës. Shërbimi do të vazhdojë të jepet pa asnjë lloj problemi sic është dhënë deri më sot dhe ne besojmë që brenda një muaji gjithcka do të jetë e zgjidhur”, deklaroi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

Ndërkohe Ministri i Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj, pasi ka inspektuar zbatimin e urdhërit për transport falas për invalidët, tha se ka konstatuar se ky urdhër nuk zbatohet dhe kërkoi nga bashkitë të ushtrojnë kompetencat për ta zbatuar atë.

“Bashkia e Tiranës, unë e kuptoj që është e zënë me SHQUP-in dhe me gjithë logjistikën e çadrave, por duhet të interesohet për çështjet e Bashkisë së Tiranës dhe kur lidh kontrata me shoqatat e autobusëve duhet të respektojë së pari ata që janë më të dobtit e shoqërisë tonë, njerëz që janë me aftësi të kufizuar dhe njerëz që kanë dokumentin e invaliditetit. Kush nuk e zbaton këtë ligj nga ana e shoqatave të autobusëve dhe të kompanive do të humbasë licensën dhe kush nuk e zbaton këtë ligj, nga kryetari i Bashkisë e deri tek punonjësi më i vogël, që lidh kontratat me kompanitë e autobusëve do të përgjigjet përpara ligjit”, deklaroi ministri Veliaj.  

Në fillim të muajit qershor operatorët e transportit publik refuzuan të njihnin kartën e invaliditetit që lejon udhëtim falas për personat që gëzojnë këtë status, pasi për këtë nuk janë kompensuar nga qeveria.

Top Channel